
Vendimi i Prishtinës zyrtare për të ”blinduar” kufirin me Shqipërinë për të pa vaksinuarit, duke kërkuar 3 doza vaksine ose dy doza dhe një test PCR, shihet nga analisti dhe njëkohësisht anëtari i kryesisë së PDK në Kosovë Adri Nurellari, si një taktikë politike për të shmangur përgjegjësitë, si dhe një sinjal arrogance ndaj shqiptarëve jashtë Kosovës.
“Së pari duhet thënë se gjëja më e dëmshme është mungesa e kohës për t’u përshtatur. Vendimi u morr pasdite dhe hyri në fuqi pak orë më vonë, pas mesnatës. Kjo është papërgjegjshmëri, qytetarët duhet të kishin një fushatë informuese që mos të shkonin aty të papërgatitur”, thotë Nurellari në emisionin “Debat”.
Sipas tij, “masat duken si një tentativë për të eksternalizuar përgjegjësitë, kinse problemin në Kosovë e shkaktojnë ardhjet nga jashtë dhe jo keqmenaxhimi i brendshëm. Kosova nuk kërcënohet nga vendet fqinje, që kanë situatë më të mirë. Është taktikë politike në kushte emergjence”.
Nurellari mendon se vendimi është politik, dhe domethënës për qasjen e qeverisë Kurti.
“Më lëndon mospërfillja e qeverisë ndaj bashkëkombësve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Preshevës, një sjellje arrogante që e kemi parë edhe në qeverinë Kurti 1, kur sovraniteti i Kosovës për administrimin e shëndetësisë në ato territore të banuar nga serbë iu la Beogradit, ku serbët vaksinoheshin dhe trajtoheshin nga autoritetet serbe, ndërkohë që kufijtë ndaj Shqipërisë ishin të mbyllur. Një parti që na ka folur për një dekadë për bashkim kombëtar ka një shpërfillje totale, nuk kemi sot asnjë përpjekje të përbashkët për të përballur situatën, inatet personale të Kurtit ndaj Ramës tejkalojnë nevojat e bashkëpunimit mbarëkombëtar”, deklaroi Nurellari në A2 CNN. (A2 Televizion)