
Vendimi i qeverisë për të ndaluar lëvizjen edhe të këmbësorëve pas orës 18:00 ka nisur zbatimin e saj kudo, edhe në Shkodër. Në një vëzhgim të bërë, ajo çka shihet në rrugët e qytetit janë një numër tepër i vogël qytetarësh që lëvizin në këmbë apo në biçikleta, me gjasë në përfundim të punës.
Thuajse në çdo rrugë kryesore të Shkodrës shihen makinat e policisë së qytetit që po monitorojnë çdo lëvizje të mundshme të qytetarëve. Por, situata paraqitet totalisht ndryshe gjatë ditës.
Shkodranët kanë vërshuar në rrugë, madje edhe pa asnjë masë mbrojtëse siç mund të jenë maskat apo dorezat. Kur u raportuan rastet e para me koronavirus, u duk sikur pati një ndërgjegjësim shumë të madh nga shkodranët, të cilët filluan të rrallojnë daljet e tyre. Por, kjo situatë ka ndryshuar dhe shkodranët vijojnë me xhirot e tyre duke shijuar ditët me diell.
Bashkia e Kukësit ka vijuar punën me dezinfektimin e ambienteve publike dhe institucioneve në vartësi ku marrin shërbime banorët për parandalimin e Covid-19. Gjatë mbrëmjes së kaluar, janë dezinfektuar të gjitha rrugët dhe sheshet e qytetit. Dezinfektimi është bërë edhe në të gjitha parqet e lulishtet e qytetit, ndërkohë që çdo ditë bëhet edhe dezinfektimi i të gjitha hapësirave para kontiniereve të mbeturinave, ndërsa pastrimi i tyre është i shpeshtë. Më herët, janë dezinfektuar të gjitha institucionet publike, zyra, shkolla apo çerdhe.
Të moshuarit që merrnin shërbim në qendrat sociale si dhe ato që kanë kërkuar ndihmë për shkak të vetizolimit po u shërbehet në banesa nga Bashkia e Elbasanit dhe vullnetarët që u janë përgjigjur situatës së krijuar. Përvçse ushqimeve, po shpërndahen edhe ilaçe sipas recetave mjekësore. Gjithashtu, po shpërndahen ndihma me pako ushqimore edhe për familjet në nevojë.
Në Durrës, dy pronarë dyqanesh janë proceduar penalisht pasi kanë abuzuar me çmimet e produkteve ushqimore dhe fruta-perimeve, duke përfituar nga situata e krijuar nga koronavirusi. Ata akuzohen për veprën penale "Fshehja e të ardhurave". (A2 Televizion)