Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, reagon PD: Akt i paligjshëm, Edi Rama po shkatërron trashëgiminë për të vjedhur

Nga A2 CNN
21 Mars 2021, 14:01 | Politikë
Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, reagon PD: Akt i

Partia Demokratike, me anë të Albana Vokshit, deklaroi se “shembja makabre e maternetit “Mbretëresha Geraldinë” është një akt antiligjor”, duke shtuar se “në ditët e fundit të pushtetit, Edi Rama po fakton se ai është kundër interesit të qytetarëve dhe se prioritet i tij është vetëm grabitja e pasurive publike dhe e taksave të shqiptarëve”. 

“Shembja makabre e maternetit Mbretëresha Geraldinë është gjithashtu një akt antiligjor. Kjo godinë është një vepër e trashëgimisë kulturore, por, njësoj si Teatri Kombëtar, ajo tani është një provë më shumë se në 25 prill qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë duhet ta largojnë këtë qeveri të shkatërrimit, të dështimit dhe të korrupsionit. Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, një prej ndërtesave simbol të kujtesës së kryeqytetit dhe e mijëra e mijëra prindërve, u shkatërrua pa marrë në konsideratë mendimin e asnjë eksperti. Materniteti u listua si monument kulture që në 2004 dhe u shpall monument kulture i  kategorisë së dytë, në vitin 2007 me firmën e ministrit të Kulturës së asaj kohe, z. Bujar Leskaj. Kjo ndërtesë është pjesë e qendrës historike të Tiranës, me mbrojtje të posaçme. Për ketë ka firmën e vet edhe kjo qeveri dhe ky kryeministër, që sot po e shkatërrojnë për përfitime të paligjshme. Në listën e publikuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, i krijuar në 2018-ën, materniteti mban numrin 214 në listën e monumenteve të kulturës. Është e qartë pra si drita e diellit se Edi Rama dhe qeveria e tij kanë prishur një monument të kulturës së kategorisë së dytë, të mbrojtur që nga viti 2004 e në vijim nga një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore. Për këto akte kriminale, Edi Rama, ministrja e tij e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe kushdo tjetër i përfshirë, duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe morale”, u shpreh Vokshi.

Më tej, Vokshi theksoi se “Edi Rama dhe Erion Veliaj, në panikun e humbjes, po shkatërrojnë identitetin e Tiranës, sepse betoni i mbush xhepat më shumë me para”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos