Plani ‘B’ për Brexit prezantohet sot në parlamentin britanik. Kryeministrja Theresa May do të përpiqet të bindë ligjvënësit konservatorë dhe ata të Unionit Demokrat, që të mbështesin ujdinë e largimit nga BE duke zgjidhur shqetësimet e tyre sa i përket çështjes së kufirit Irlandez.
Mekanizmi kufitar është një ndër pikat kyçe në ujdinë për Brexit, dhe ka për qëllim të sigurojë se nuk do të ketë një rikthim të një kufiri me kontrolle mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës, pasi Britania e Madhe të largohet nga Unioni.

Liderët e BE-së kanë sinjalizuar se mund të lejojnë disa ndryshime të ujdisë nëse May heq dorë nga “linjat e kuqe” të saj. Por mediat britanike raportuan se ajo do të kërkojë të rinegociojë disa pika të ujdisë ekzistuese.
Këto raportime janë parë me skepticizëm në Evropë.
Sipas Heiko Maas, ministri i Jashtëm gjerman, “është me rëndësi që të mos të merret një vendim që çon në rivendosjen e një kufiri me kontrolle mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut. Siç e pamë këtë fundjavë, tensionet janë shumë të larta atje”.
Ndërsa për Linas Linkevicius, ministrit të Jashtëm të Lituanisë, “ndryshimi i ujdisë është më shumë një hipotezë teorike pasi nuk kemi vullnet të hapim përsëri këtë kuti të Pandorës”. (A2 Televizion)