Me dy gola të Mbappe, Franca ka arritur të barazojë Argjentinën në finalen e madhe të Botërorit të Katarit.
Të udhëhequr nga Messi e Di Maria, amerikanolatinët dominuan totalisht 45 minutat e para. Në minutën e 22 erdhi goli i parë, i cili u realizua nga Messi, që ekzekutoi në mënyrë perfekte një penallti të fituar nga Di Maria.
Pas këtij goli, Franca nuk mundi të reagonte në asnjë moment dhe në minutën e 36, Argjentina shënoi edhe golin e dytë, këtë herë me Di Marian, i cili shfrytëzoi maksimalisht një asist nga Mac Allister.
I shqetësuar me paraqitjen e të besuarve të tij, Deschamps hoqi nga fusha e lojës, Giroud dhe Dembele për Kolo Muanin dhe Thuram.
Ndërkohë, edhe pjesa e dytë nisi me Argjentinën dominuese dhe francezët të përgjumur. Por gjithçka ndryshoi në minutën e 81-të. Franca fiton penallti dhe Mbappe e kthen në gol. Dy minuta më pas, Mbappe shënon një tjetër gol, pas një aksioni fantastik dhe rikthen baraspeshën.
Tashmë do të luhen edhe 30 minutat e shtesës e në rast se edhe këtu rezultati do të jetë i barabartë do të goditen 11-metërshat për të përcaktuar kampionin e botës. (A2 Televizion)



















