Franca përballë Argjentinës, Mbappe vs. Messi, finalja që zgjidh dy dilemat e Katarit

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2022, 08:50 | Futboll
Franca përballë Argjentinës, Mbappe vs. Messi, finalja që

Ditën e sotme në orën 16:00 sytë e gjithë botës do të jenë të drejtuara nga Katari, ku do të zhvillohet finalja e Kupës së Botës në futboll mes Argjentinës dhe Francës.

Argjentinasit do të kërkojnë triumfin e parë pas 36 vitesh, ndërkohë që francezë duan që të rrëmbejnë trofeun e dytë radhazi si më të mirët e botës.

Lionel Messi apo Kylian Mbappe? Kjo dilemë do të zgjidhet pasdite, ku të dy futbollistët kanë shënuar gjatë këtij kompeticioni nga 5 gola dhe synojnë Këpucën e Artë.

Parashikohet të jetë një ndeshje e fortë ku të dy ekipet do të hedhin në fushën e lojës futbollistët më të mirë, ndonëse nga të dyja krahët kanë lojtarë të dëmtuar.

Lajmi i orëve të fundit shton Giroud në listën e lojtarëve në dyshim për këtë takim, ndërkohë që nga bardheblutë, konfirmohet mungesa e Di Maria.

Deschamps është në luftë me kohën për të rikuperuar Upamecano, Varane e Rabiot, të cilët në ditët e fundit u ndjenë keq për shkak të një virusi të njohur nga vendasit si “Virusi i Devesë”.

Takimi do të drejtohet nga arbitri polak Szymon Marciniak. Por si erdhën dy ekipet deri në finale?

Argjentina e nisi me humbje kompeticionin përballë ekipit më të lehtë në letër atë të Arabisë Saudite. Amerikano-jugorët u surprizuan nga dëshira e arabëve të cilët u shënuan dy gola të shpejtë duke ju përmbysur rezultatin. Më pas, Messi me shokë u rikthyen me këmbë në tokë në dy takimet e radhës përballë Polonisë dhe Meksikës, duke i fituar ato pastër 2-0. Në fazën e 1/8 Argjentina gjeti ekipin e Australisë, të cilin e mundi me rezultatin 2-1. Përballja e vërtetë e djemve të Scaloni ishte ajo ndaj Holandës. Ndonëse e udhëhoqën takimin përgjatë pjesës më të madhe të tij, holandezët shënuan dy gola në fund duke e çuar ndeshjen në shtesa e më pas te penalltitë. Nga pika e 11 metërshave, argjentinasit u treguan më të saktë. Këtu nisën dhe kontestimet e para. Në gjysmëfinale Argjentina gjeti përballë Kroacinë. Dy gola të shpejtë të Messit nga penalltia dhe Alvarez nuk i lanë mundësi ballkanasve të merrnin veten. Në pjesën e dytë ishte sërish Alvarez që gjeti dhe golin e dytë për ta çuar ekipin e tij në finale.

Nga ana tjetër Franca e fitoi ndeshjen e parë në Katar 2022 ndaj Australisë me rezultatin 4-1 dhe me pas mundi Danimarkën 2-1. Në ndeshjen e tretë në grup, me kryesimin e siguruar “Gjelat” luajtën me një ekip të përditësuar çdo shënoi dhe humbjen e parë në kompeticion përballë Tunizisë 1-0. Në 1/8 Franca gjet Poloninë e Lewandowski, e cila e plakur në moshë nuk përballoi dot euforinë e Mbappe dhe shokëve të tij 3-1 dhe kalim në raundin tjetër. Ishte pikërisht përballja ndaj Anglisë ajo që tregoi forcën e vërtetë të Francës. Southgate kishte në dispozicion ekipin më të mirë të mundshëm, por Deschamps e përballoi me pjekuri dhe cinizëm. Ndeshja do të kishte një fat tjetër nëse Kane nuk do të gabonte nga 11-metërshi, duke e mbyllur 90-minutëshin në rezultatin 2-1. Në gjysmëfinale Franca gjen ‘hirushen’ e kompeticionit, Marokun. I pari ekip afrikan deri në këtë fazë të një botërori, Maroku u përpoq të bënte më të mirën, por nuk ia doli përballë një France që i kishte sytë vetëm te finalja.

Tashmë, fjala e fundit i mbetet fushës së blertë të stadiumit ‘Lusail’. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos