Alarm në Europë, sulm i dyshuar kibernetik në disa shtete, shkrihen frigoriferët

Nga Xhevahir Qardaku
2 Nëntor 2026, 16:58 | Bota

Dhjetëra supermarkete në Belgjikë, Suedi dhe Irlandë janë goditur nga një sulm i dyshuar kibernetik, i cili ka prekur sistemet e frigoriferëve dhe ngrirësve të produkteve ushqimore.

Në Belgjikë, incidenti ka prekur rreth 40 dyqane të rrjetit Delhaize dhe 15 të Carrefour, ndërsa në Suedi janë përfshirë disa pika të rrjeteve ICA dhe Coop. Probleme janë raportuar edhe në 13 supermarkete të rrjetit SuperValu në Irlandë.

Si pasojë, produkte ushqimore me vlerë mijëra euro janë detyruar të hidhen, pasi temperaturat e pajisjeve ftohëse janë ndryshuar në mënyrë të paautorizuar.

Një supermarket i rrjetit ICA, në qytetin Sjöbo të Suedisë, raportoi se frigoriferët dhe ngrirësit ishin hakuar gjatë natës dhe temperatura ishte vendosur në 50 gradë Celsius.

Dyqani u mbyll përkohësisht, por më pas rifilloi aktivitetin, ndërsa rrjeti Coop konfirmoi se shtatë nga rreth 800 dyqanet e tij ishin prekur, por situata tashmë është nën kontroll.

Kompanitë e prekura po analizojnë incidentin dhe po mbështesin dyqanet në menaxhimin e pasojave, ndërsa autorët e sulmit mbeten ende të paidentifikuar.

Ngjarja vjen pas një incidenti të ngjashëm muajin e kaluar në Francë, ku u prekën qindra supermarkete, duke ngritur shqetësime për sigurinë kibernetike të rrjeteve ushqimore në Europë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos