
Ekspertët e vlerësojnë pozitivisht vëmendjen e kushtuar ndaj Shqipërisë gjatë Konferencës së Donatorëve.
Financimi, si përmes granteve dhe kredive, i jep në dorë qeverisë të gjitha instrumentet për programin e rindërtimit. Megjithatë, materializimi i efekteve pozitive të këtij procesi do të kërkojë kohë dhe do të jetë i kufizuar.
“Shqipëria nuk u la vetëm. Shqipëria është pjesë e rrjetit ndërkombëtar dhe ky është një lajm i mirë edhe për investitorët vendas dhe të huaj. Injektimi i donacioneve do të jetë shumë i prekshëm për një rezultat konkret edhe përfundimtar, minimalisht do të duhen 2 vjet. Po të shohim edhe ofertat e donatorëve, ata përfshinin programe deri në 5 vjet”, shprehet Enio Civici, ekspert për ekonominë.
“Konferencë jashtëzakonisht pozitive për Shqipërinë, tregoi se ka një vëmendje ndaj ekonomisë shqiptare. Në projektet aktuale, ndikimi ekonomik do të jetë në një periudhë dy deri në tre vjet, të paktën do të ketë një rikthim aty ku ishim. Megjithatë, nuk mendoj se do të ketë një impuls afatgjatë për ekonominë shqiptare”, komenton Besart Kadia, ekspert për ekonominë.
Së bashku me fondet donatorët do t’i kërkojnë vendit transparencën për mënyrën se si ato përdoren, diçka që ekspertët e shohin si një sfidë, por edhe mundësi.
“Bëhet fjalë si për rindërtim, si për infrastrukturë, bëhet fjalë si dhe për menaxhimin e fondeve. Mungesa e eksperiencës mund ta bëjë këtë një projekt sfidues dhe konsumues kohe dhe për qeverinë për ta çuar përpara. Tashmë nuk është vetëm menaxhimi i parave publike shqiptare dhe përgjegjësia e taksapaguesve shqiptarë, por kemi hyrë në një fazë ku të gjithë sytë e ndërkombëtarëve janë te mënyra se si do të menaxhohet Shqipëria. Shqipëria nuk ka eksperiencë të mirë në menaxhimin e fondeve të huaja”, thekson Kadia.
“Do të kenë ndikim pozitiv edhe në ndjeshmëri nëse do të zbatohen rregullat e transparencës, e prokurimit të drejtë dhe shpërndarjes së fondeve. Një hua apo një kredi sigurisht që monitorohet nga pala që e ofron”, thotë Civici.
Borxhi i shtuar mund të kthehet në një barrë për ekonominë shqiptare gjatë viteve të ardhshme. (A2 Televizion)