
Shtetet e Bashkuara po punojnë për t'u siguruar vaksina, vendeve që kanë nevojë të jashtëzakonshme.
Këtë e tha presidenti amerikan Joe Biden, gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë. Ndërsa njoftoi se mbi 200 milionë amerikane e kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, presidenti u pyet se si mund të ndihmohen vendet e tjera.
"Kemi filluar përpjekjet për ta bërë një gjë të tillë. Kemi dhënë një sasi. Tani do të shohim se çfarë do të bëjmë me disa nga vaksinat që nuk po i përdorim. Ne duam të garantojmë që t’i dërgojmë ato në mënyrë të sigurt dhe shpresojmë të jemi në gjendje të ndihmojmë vendet në gjithë botën”, u shpreh Biden.
Megjithatë, numri një i Uashingtonit tha se për momentin nuk kanë aq shumë doza sa t'i dërgojnë jashtë vendit.
“Nuk kemi mjaftueshëm sa t'i dërgojmë jashtë kufijvë në këtë moment. Por mendoj se do ta bëjmë këtë së shpejti.”
Administrata Biden ka investuar 4 miliardë dollarë në programin global COVAX për të ndihmuar me furnizimin e vaksinave në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe është zotuar t’u dërgojë miliona doza të AstraZenecas, të cilat nuk janë ende të autorizuara për t'u përdorur në Shtetet e Bashkuara, Kanadasë dhe Meksikës fqinje.
SHBA-ja dhe vende të tjera të pasura janë përballur me kritika ndërkombëtare për blerjen e pjesës më të madhe të sasisë globale të vaksinave kundër COVID-19. Megjithatë, edhe shumë shtete të zhvilluara kanë mungesa dhe i janë lutur Uashingtonit për ndihmë. Koreja e Jugut beson se duhet të jetë ndër të parat vende që duhet të marrë ndihmë nga aleati i saj i vjetër. (A2 Televizion)