Pas Romës, liderët botërorë dhe grupet e ekspertëve, u mblodhën në Glasgou të Skocisë, ku po zhvillohet Konferenca e 26-të e Kombeve të Bashkuara, kushtuar ndryshimeve klimatike. Takimi që bëri bashkë mbi 200 delegatë vjen pikërisht në momentin kur bota përballet me ngrohjen globale dhe ndryshimet klimatike. Vetëm një ditë më parë, më shumë se 40 vende u angazhuan të eliminojnë gradualisht përdorimin e qymyrit, burimi më ndotës i energjisë, në një përpjekje për t’i dhënë shtysë shpresave të samitit të klimës në Glasgou, për frenimin e ngrohjes globale në 1,5 gradë celsius. Përdorues të rëndësishëm të qymyrit, përfshirë Poloninë, Vietnamin dhe Kilin janë mes firmëtarëve. Edhe pse u cilësua si një moment historik në përpjekjet globale për të luftuar ndryshimet klimatike, 4 prej shteteve më të mëdha në botë e më të varura nga qymyri si Australia, India, Kina dhe SHBA-ja nuk e nënshkruan ujdinë. Meteorologia e A2 CNN, Tanja Porja, dhe ish-drejtuesi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, Ilir Morina, diskutojnë mbi atë që pritet të ndodhë pas zotimeve të vendeve për luftën kundër ndryshimeve klimatike. (A2 Televizion)
Mbi 40 vende zotohen të eliminojnë qymyrin, çfarë duhet të dimë për momentin historik?
