"Pse hesht Kuvendi i Kosovës? Rama kërkon reagim ndaj padrejtësive në Hagë

Nga A2 CNN
7 Gusht 2025, 21:40 | Politikë

"Pse hesht Kuvendi i Kosovës? Rama kërkon reagim ndaj

Pas protestës kundër gjykatës speciale dhe në mbrojtje të Hashim Thaçit dhe luftëtarëve të UÇK-së ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Në një postim në rrjetet sociale, Rama ngre pikëpyetje për reagimin e Kuvendit të Kosovës ndaj shkeljeve të Tribunalit të Hagës.

“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!”

"Pse hesht Kuvendi i Kosovës? Rama kërkon reagim ndaj

Kreu i qeverisë shqiptare thekson që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të cilën ai e quan të vonuar, edhe Kuvendi i Shqipërisë do të votonte të njëjtin tekst.

“Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cenim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet”, shkruan Rama, krahas fotos nga protesta e sotme në Prishtinë, ku ishte i pranishëm dhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti.

Protesta u organizua nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në shenjë pakënaqësie me punën e Speciales, për mungesë transparence dhe pas konfirmimit se kanë pranuar si dëshmi edhe dokumente të autoriteteve serbe.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos