Dy shtetas të Shqipërisë janë ndaluar nga policia në Kosovë, pasi është konstatuar se kanë paguar me kartëmonedha të falsifikuara në një pikë karburanti, ku kanë furnizuar automjetin me karburant.
“Me datën 07.08.2025 Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK)– Prishtinë kanë arritur që të sigurojnë informata/prova se dy të dyshuarit meshkuj shtetas të Shqipërisë në një pikë të derivateve janë furnizuar me derivate, dhe kanë kryer pagesë në vlerë prej 50 (pesëdhjetë) euro nga të cilat të gjitha në monedha nga 10 (dhjetë) euro. Pas pranimit të pagesës është vënë re se nga kartëmonedhat e ofruara 4 (katër) prej tyre janë të falsifikuara”, njofton policia.
Pas kësaj dyshja janë ndaluar në doganën e Morinit dhe në automjetin e tyre gjatë kontrollit u janë gjetur edhe 780 euro të tjera të dyshuara si të falsifikuara.
“Lidhur me rastin informacionet e shpejta dhe efikase janë ofruar nga zyrtarë të Njësisë për Mbështetje të Trafikut Rrugor, informacione të cilat kanë ndihmuar në koordinimin e njësive relevante policore, ku edhe si rezultat të dyshuarit janë ndaluar dhe arrestuar në Pikën Kufitare me Shqipërinë, në Vërmicë– Prizren. Të dyshuarit e lartcekur janë intervistuar në cilësi të personave të dyshuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe pas konsultës me prokurorin e rastit njëri nga të dyshuarit i cili ka kryer veprën Falsifikim i parasë është dërguar në mbajtje prej 48 orësh, ndërsa i dyshuari tjetër me urdhër verbal nga prokurori është liruar ne procedurë te rregullt”, sqaron më tej policia në Kosovë. (A2 Televizion)