“SPAK, historia e shekullit”. Arrestimet e politikanëve, “The Economist”: Rama, jo më entuziast

Nga Fjorela Beleshi
7 Gusht 2025, 23:38 | Politikë

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion “po rrëzon” figura të rëndësishme në Shqipëri. Kështu shkruan media britanike “The Economist” për rezultatet e SPAK në vendin tonë, duke e cilësuar historike arrestimin e politikanëve, zyrtarëve dhe trafikantëve të drogës.

Britanikja shkruan se SPAK gëzon një besueshmëri të lartë tek qytetarët, por, sipas saj, arrestimet e kryetarit të opozitës Sali Berishës, kryetarit të PL, Ilir Metës, dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë shkaktuar polarizime në retorikën politike vendase.

Të arrestuarit jo vetëm që nuk kanë pranuar akuzat, por i kanë cilëuar si veprime të urdhëruara politikisht, përcjell A2. Si shembull nënvizon deklaratat e kryedemokratitt Sali Berisha, i cili pretendon se Rama po e persekuton dhe e quan SPAK-un "kamzhikun e tij". Ndërsa edhe në kampin tjetër, kur u arrestua Veliaj, kryeministri Rama akuzoi SPAK-un për abuzim me të drejtat e njeriut.

Por, në rastin e kreut të qeverisë shqiptare, sipas “The Economist”, Edi Rama u tërhoq nga sulmi i SPAK-ut për shkak të kritikave të BE. Sado që Rama mund të ketë dashur të mbrojë Veliajn, ai gjithashtu e kuptoi se sulmi ndaj SPAK-ut do të ishte i dëmshëm politikisht, si në marrëdhnie me Brukselin, ashtu edhe me humbjen e votave në vend.

Duke cituar një diplomat europian, akuzat e Ramës ishin një “marrëzi”. Në këtë artikull gjithashtu flitet për suksesin e bashkëpunimeve ndërkombëtare të SPAK për goditjen e bandave të drogës, si dhe i kushton një hapësirë të konsiderueshme arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe përfshirjes së familjarëve të tij.

“The Economist” tregon qëndrimin ndaj kësaj strukture antikorrupsion, ku disa murmurisin me zymtësi se SPAK po funksionon si ish-Sigurimi i Shtetit, ndërsa disa të tjerë janë të kënaqur nga rezultatet, sidomos me arrestimin e personave të pushtetshëm, duke menduar se kështu po i vjen fundi pandëshkueshmërisë në vend.

Kjo panoramë, sipas burimit të medias britanike brenda sistemit të drejtësisë, është një shenjë e mirë, pasi sipas tij “nëse klasa politike shqiptare do të ishte e kënaqur me punën e SPAK-ut, “atëherë do të ishte problem”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos