Mbi 8.000 të evakuuar nga zjarret në Tenerife, turistët këshillohen të vijojnë pushimet

Nga A2 CNN
18 Gusht 2023, 11:05 | Bota

Mbi 2,000 hektarë pyje janë përfshirë nga zjarret në Tenerife të Spanjës dhe 8,000 njerëz janë evakuuar nga autoritetet, për shkak të rrezikut nga flakët.

Zjarri ka një perimetër prej gati 30 kilometrash dhe presidenti i rajonit, Fernando Clavijo, tha se rreth 250 zjarrfikës dhe pjesëtarë të ushtrisë spanjolle po përpiqen të shuajnë flakët.

"Është ndoshta zjarri më i rëndë që kemi pasur në Kanarie, të paktën në 40 vitet e fundit", u tha guvernatori gazetarëve.

Zjarri, i cili shpërtheu të martën në mbrëmje avancoi në një zonë të pjerrët dhe malore, që është e vështirë për tu arritur nga ekuipazhet e emergjencës.

Autoritetet spanjolle kanë deklaruar se objektivi i tyre kryesor është të frenojnë flakët dhe t'i pengojnë ato të arrijnë në zonat më të populluara.

Qyteti kryesor i ishullit, Santa Cruz, ndodhet 20 kilometra larg zonës së prekurnga zjarret, ndërsa flakët kërcënojnë gjashtë komuna.

Pavarësisht zjarreve, zyra turistike e Tenerife-s theksoi në një deklaratë se zonat kryesore turistike dhe qytetet e ishullit janë larg zonës së pyllëzuar ku kanë rënë zjarret.

“Aktivitetet vijojnë normalisht në ambientet akomoduese, plazhet dhe vendet e tjera turistike që ndodhen në zonat pranë bregdetit dhe në qendër. Por aksesi në Parkun Kombëtar Teide, atraksioni më i rëndësishëm turistik i Tenerife-s pas plazheve, do të jetë i mbyllur për publikun. Të gjitha objektet turistike rreth zonës së vullkanit Teide, përfshirë akomodimin, do të evakuohen, së bashku me stafin e Institutit të Astrofizikës në Ishujt Kanarie”, thuhet në deklaratë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos