Mbi 80 viktima nga zjarret dhe mijëra të pastrehë në Maui, shkrumbohen 1 mijë godina

Nga A2 CNN
12 Gusht 2023, 13:22 | Bota
Mbi 80 viktima nga zjarret dhe mijëra të pastrehë në Maui,

Bilanci i viktimave si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë Mauin në Hauai arriti në 80 të premten, teksa ekipet e shpëtimit inspektojnë gërmadhat e qytezës së Lahaina-s dhe autoritetet rajonalë përpiqen të kuptojnë se si është e mundur që flakët u përhapën kaq shpejt dhe pa paralajmërim.

Zjarri u bë katastrofa më vdekjeprurëse në historinë e shtetit, duke tejkaluar tsunamin që vrau 61 vetë në Big Island të Hauait në 1960-tën, një vit pasi Hauai ju bashkua Shteteve të Bashkuara. Autoritetet kanë paralajmëruar se ekipet e shpëtimit mund të gjejnë më shumë viktima, nga flakët e ferrit që shkrumbuan 1 mijë godina dhe lanë mijëra të pastrehë.

Rindërtimi me gjasë do të kërkojë shumë vite dhe miliarda dollarë.

“Do të vazhdojmë të shohim humbje jetësh. Kemi parë gjithashtu qindra shtëpi të shkatërruara dhe do të duhet shumë kohë të rimëkëmbemi”, thotë guvernatori Josh Green.

Zjarri në qytezën bregdetare te Lahainas, që u përhap nga pyjet tek zonat e banuara, vijon të digjet, edhe pse 85 përqind e tij është vënë nën kontroll. Ishulli ka sirena alarmi që paralajmërojnë për katastrofa natyrore dhe kërcënime të tjera, por ato nuk u dëgjuan të binin për zjarrin.

Guvernatori Josh Green, tha për CNN se kishte autorizuar një shqyrtim gjithëpërfshirës për t’u siguruar se çfarë kishte ndodhur me saktësi. Flakët që nisën mesnatën e së martës, morën shpejt përmasa të frikshme duke ju afruar me shpejtësi banesave dhe hoteleve me turistë. Dëshmitarët treguan se nuk ishin sinjalizuar, ndërsa përshkruajnë tmerrin e zjarrit katastrofik që shkrumboi Lahainan për pak orë. Shumë njerëz u detyruan të hidhen në oqean për të shpëtuar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos