
Ka nisur në Bruksel mbledhja e 11-të e Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, i drejtuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Joseph Borrell.
Delegacioni shqiptar kryesohet nga kryeministri Edi Rama, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka dhe kryenegociatori i Shqipërisë, Zef Mazi.
Në orën 14:00 është parashikuar një konferencë e përbashkët për shtyp mes përfaqësuesit të lartë europian Josep Borrell, komisionerit të Zgjerimit Oliver Varhelyi dhe kryeministrit Edi Rama.
Mbledhja e fundit e këtij niveli u zhvillua në nëntor të vitit 2018 dhe delegacioni shqiptar u përfaqësua nga ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Në atë kohë, theksi u vu te Reforma në Drejtësi, procesi i vetting-ut, si dhe lufta ndaj korrupsionit e krimit të organizuar.
Çështjet që priten të diskutohen gjatë mbledhjes së radhës të Këshillit të Asociimit dhe Stabilizimit është strategjia e paraaderimit, plotësimi i kushteve politike, ekonomike, si dhe bashkëpunimi financiar.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE u nënshkrua në vitin 2006. (A2 Televizion)