“Edicioni futbollistik duhet të përfundojë, pavarësisht ndërprerjes së gjatë nga koronavirusi”. Ky është rekomandimi i fortë, i dhënë nga UEFA, në videokonferencën e zhvilluar me sekretarët e përgjithshëm të 55 federatave anëtare.
Mesazhin e dhënë nga presidenti i konfederatës evropiane, Aleksander Ceferin, e konfirmoi Federata Shqiptare e Futbollit, sipas të cilës direktiva e UEFA-s është që kompeticionet kombëtare në mbarë kontinentin të mbyllen, për të nxjerrë në fushë verdiktet e sezonit.
Gjatë mbledhjes u prezantuan edhe disa opsione për kalendarët, në lidhje me skuadrat përfaqësuese dhe për ndeshjet e kompeticioneve të klubeve.
Vendimet për mbylljen e kampionateve kombëtare apo për ndeshjet ndërkombëtare do të bëhen publike pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që do të zhvillohet këtë të enjte. (A2 Televizion)
