Ekran gjigant dhe tifozë në makina, ideja e Midtjylland

Nga A2 CNN
20 Prill 2020, 18:01 | Futboll
Ekran gjigant dhe tifozë në makina, ideja e Midtjylland

Ekrane gjigantë dhe vend-parkime për makinat, për të gjithë tifozët që nuk mund të jenë të pranishëm në stadium, por duan ti shohin ndeshjet e skuadrës së zemrës së bashku me mbështetësit e tjerë, natyrisht duke ruajtur distancën. Kjo është ideja që vjen nga Danimarka, më specifikisht nga ekipi i Midtjylland, në këtë kohë masash mbrojtjeje nga koronavirus.

Nëpërmjet kësaj iniciative, klubi ka menduar t'i vendosë tifozëve në dispozicion parkingun e stadiumit. Ndërsa ekipi luan në fushë me dyer të mbyllura, fansat mund të jenë pranë idhujve të tyre. Kushti është që të pranishmit duhet të qëndrojnë në automjetet e tyre, për të mos përbërë rrezik për njerëzit e tjere, prej pandemisë Covid-19.

Projekti inovativ parashikon vendosjen e dy ekraneve gjigantë në parkimin e stadiumit, duke i lejuar rreth 10 mijë tifozëve të ndjekin nga afër ndeshjet e skuadrës. Si fillim, risia do të testohet me dy mijë makina dhe nëse do të rezultojë e suksesshme, klubi do të zgjerojë parkingun, për të mundësuar një numër edhe më të madh tifozësh të pranishëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos