Mbretëresha Elisabeth II: Do të prezantohen ligje që sigurojnë integritetin e zgjedhjeve

Nga A2 CNN
11 Maj 2021, 16:08 | Bota

Mbretëresha britanike Elizabeth II, bëri daljen e parë ceremoniale që prej humbjes së bashkëshortit, Princit Philip. Siç e kërkon protokolli, monarkja u ul në fronin e saj në Dhomën e Lordëve, ndërsa Zonja e Shkopit të Zi trokiti në derën e Dhomës së Komunëve, për t’i njoftuar deputetët që të marrin pjesë në fjalim me prioritetet për qeverinë. Parësore ishte rimëkëmbja nga pandemia koronavirus.

“Prioritetet e qeverisë sime janë që të përmbushin një rimëkëmbje kombëtare nga pandemia, gjë e cila e bën Mbretërinë e Bashkuar më të fuqishme, shëndetshme dhe më të suksesshme se më parë”, tha Mbretëresha.

Fjalimi i përvitshëm nga froni, simbolizon nisjen e një sesioni të ri parlamentar. “Qeveria ime do të fuqizojë dhe rinovojë demokracinë. Do të prezantohen ligje që sigurojnë integritetin e zgjedhjeve, për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe kthyer balancën e pushtetit mes ekzekutivit, legjislaturës dhe gjykatave”.

Mbretëresha bëri thirrje për unitet, ndërsa nuk harroi politikën e jashtme: “Do të prezantohet një legjislacion për të luftuar aktivitetet armiqësore nga shtetet e tjera”.

Shkalla e ceremonisë u zvogëlua në mënyrë drastike nga pandemia. Mbretëresha këtë herë kishte një veshje të zakonshme ditore në vend të asaj ceremoniale. Madje në kokë nuk kishte as kurorë. Megjithatë pjesa më e madhe e protokollit është respektuar, përfshirë edhe mbajtjen peng të një deputeti nga pallati mbretëror, deri në përfundimin dhe kthimin e Mbretëreshës Elizabeth II. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos