
Mbretëria e Bashkuar është sot në festë. Mbretëresha Elizabeta e II feston sot 96 vjetorin e lindjes. Elizabeta ka lindur më 21 prill 1926 në Bruton Street, në qendër të Londrës. Kurorëzimi i saj në moshën 27 vjeçare u mbajt në Uestminster Abbey më 2 qershor 1953, në një ceremoni ku morën pjesë qindra personalitete nga e gjithë bota, liderë nga politika, shoqëria civile e biznesi e që u transmetua live nga televizionet e radiot e mbarë botës.
Monarkja e 63 e Britanisë së Madhe ka kaluar për qëndrimin në fron edhe paraardhësen e saj, mbretëreshën Viktoria, si monarkja më jetëgjatë, prej shtatorit të vitit 2015.
Viktoria qëndroi në fron për 63 vjet, 7 muaj, 2 ditë, 16 orë e 23 minuta. Ende sot, pavarësisht skeptikëve për mbretërimin e saj dhe politikave ndër vite po ashtu, mbretëresha mbetet një nga simbolet përbashkuese të vendit, një figurë e dashur dhe e respektuar, nga populli e politika britanike.
Prej muajsh, mbretëresha ka ndërprerë çdo angazhim të saj publik për shkak të shëndetit që ka qenë në fokus të mediave, pas shtrimit të saj në spital tetorin e shkuar apo infektimit me koronavirus këtë shkurt. Ditëlindjen sot, bën të ditur pallati mbretëror, Elizabeta do ta festojë vetëm me familjarët e saj në Pallatin në Sandrigrahm. (A2 Televizion)