
Mbretëresha e Anglisë ka pranuar kërkesën e qeverisë britanike për pezullimin e Parlamentit deri më 14 tetor. Parlamenti do të pezullohet vetëm disa ditë para se deputetët të kthehen në punë në shtator dhe vetëm disa javë përpara afatit të Brexit-it.
Kjo do të thotë se koha që deputetët kanë në dispozicion për të miratuar ligje për ndalimin e daljes së vendit nga BE-ja pa marrëveshje do të shkurtohet.
Qeveria britanike i kërkon mbretëreshës Elizabeta të pezullojë Parlamentin. Kryeministri Boris Johnson tha se mbretëresha do të mbajë një fjalim, në 14 tetor, për të prezantuar, atë që e quajti “axhendën e tij entuziazmuese”.
“Kemi nevojë për ligje të reja e të rëndësishme dhe për këtë arsyeje Mbretëresha do të mbajë një fjalim në 14 tetor. Duhet të vazhdojmë përpara me një program të ri legjislativ”, deklaroi kryeministri britanik. (A2 Televizion)