Mbyllet 16 shkurti, opozita sërish protestë të enjten

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2019, 19:08 | Aktualitet
Mbyllet 16 shkurti, opozita sërish protestë të enjten

Qytetarë të shumtë iu përgjigjën thirrjes së opozitës së bashkuar në protestën për largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Sheshi para Kryeministrisë iu la qytetarëve, politika shmangu fjalimet në podium.

Kryedemokrati Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha marshuan nga PD dhe iu bashkuan qytetarëve për të qëndruar për disa minuta ulur me ta. Zërat kundër qeverisë ndërkohë nisën të forcoheshin, por dhuna u shënua 40 minuta pas orarit zyrtar të protestës, orës 11.

Thirrja e banorëve te Unazës së Re për të shkruar mbi muret e Kryeministrisë kërkesën për largimin e Edi Ramës shënoi nisjen e një serie sulmesh ndaj godinës qeveritare. Punonjësit e Gardës së Republikës, që kishin hyrë që në mëngjes në ambientet e brendshme të Kryeministrisë iu përgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë.

Protestuesit shembën skelën që mbronte hyrjen e Kryeministrisë, qëlluan me sende të forta dhe i vunë flakën pankartave disa herë me radhë. Gazi lotsjellës ishte i vetmi reagim që shpërndante protestuesit që u rikthyen në derën e Kryeministrisë herë pas here.

Duke mohuar qe ky të ishte skenar i opozitës për dhunë, kryetari i PD Lulzim Basha reagoi menjëherë. Ai akuzoi Kryeministrin Rama se qëllimisht tërhoqi policinë për të nxjerrë jashtë kontrollit protestën.

Gazit lotsjellës në shesh nuk i shpëtuan as Lulzim Basha, Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi. Megjithatë, kërkesa e tyre ishte një, largimi i Edi Ramës Rreth 4 orë nga protesta, Basha dhe Kryemadhi u ribashkuan në shesh dhe komunikuan për disa minuta, larg syrit të kamerës. Takimi duket se rakordoi qëndrimin e opozitës, për të mbyllur protestën e për t’i thirrur qytetarët sërish të enjten në orën 10 të dalin në protestë.

Pas këtij mesazhi, qytetarët zbrazën sheshin ndërsa demokratët u rikthyen në seli, ku në mbrëmje, Basha thërriti në mbledhje të gjithë kryetarët e degëve të Partisë Demokratike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos