Ka përfunduar takimi i Këshillit Koordinues për Veriun i Partisë Socialiste, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama dhe ku marrin pjesë deputetët e qarqeve të veriut, kryetarët e bashkive si përfaqësuesit politikë të mazhorancës. E intervistuar nga A2, deputetja e Shkodrës Senida Mesi tregoi se në mbledhjen e sotme në Velipojë u fol për “performancën e Bashkive, ku janë problematikat e stafit të brendshëm dhe për unifikimin e strukturës organizative, me qëllim që mos të lejmë jashtë asnjë grup interesi”. E pyetur për shkarkimet masive të drejtorëve të veriut, në veçanti në Shkodër, ish zëvendësministrja përsërit faktin që nuk do të ketë shkarkime politike, por vetëm largime nga puna të ndikuara nga performanca, madje edhe këto largime do të ndodhin në bazë të kodit të punës”. Çështja e ditës së djeshme ka qenë vendimi për ish ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, por Mesi nuk komenton mbi këtë pikë, duke shtuar se “diskutimi politik është bërë për pjesën e zgjedhjeve në organizata, dhe mesazhi që u dha është të gjenden individë që janë qytetarë aktivë, me qëllimin që partia të jetë sa më e hapur, duke përçuar mesazhin se partia do të jetë më e madhe dhe do të jetë për të gjithë”. (A2 Televizion)
Mbyllet këshilli koordinues në Veri, Mesi: Nuk ka shkarkime politike, duhen qytetarë aktivë
