
Udhëheqësit e ekonomive më të mëdha në botë, u dakordësuan se vendet duhet të ndërmarrin veprime të rëndësishme dhe të efektshme për të ruajtur rritjen e temperaturës globale në 1.5 gradë celsius, por përballen me kritika për faktin se ofruan shumë pak angazhime konkrete për arritjet e këtij objektivi.
Deklarata finale e samitit dyditor të G20-s që u mbajt në Romë, nuk përfshiu synimin e qartë për arritjen e neutralizimit të emetimeve të karbonit në 2050, por rreth mesit të shekullit.
Ky kompromis u arrit pasi Rusia dhe Kina, dy prej ndotësve më të mëdhenj, kërkuan zgjatjen e afatit në vitin 2060. Megjithatë, për organizatorin Mario Draghi, samiti kishte qenë i suksesshëm.
“Gjëja më e rëndësishme ndodhi për klimën. Për herë të parë, vendet e G20-s u zotuan t’i përmbaheshin qëllimit për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë, përmes një sërë masash afatmesme dhe afatgjata”, tha Draghi.
Gjithashtu, grupi i 20-s u dakordësua t’i japë fund financimit publik të termocentraleve me qymyr nëpër botë, por nuk vendosi si objektiv heqjen dorë nga përdorimi i qymyrit brenda vendit. Sakaq, u riafirmua angazhimi për mobilizimin e 100 miliardë dollarëve për të ndihmuar vendet më të varfra të përballojnë ndryshimet klimatike.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se samiti i kishte treguar botës se mund të besonte sërish tek Amerika, ndërsa u shpreh i zhgënjyer për mungesën e Rusisë dhe Kinës. Në ditën e parë të samitit, u arrit gjithashtu marrëveshje për një taksë minimale prej 15 për qind ndaj kompanive shumëkombëshe dhe u diskutua për pandeminë e Covid-19. (A2 Televizion)