
Shqipëria dhe Maqedonia Veriut kanë plotësuar kushtet për hapjen e negociatave. Kështu ka deklaruar kreu i Komitetit për Punën e Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister, në një konferencë për mediat nga Europa House në Tiranë.
“Gjatë takimeve tona me politikëbërës dhe shoqëri civile kemi dhënë këto mesazhe: BE s’ka kohë për të humbur për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sepse të dyja vendet kanë përmbushur kushtet. Shqipëria nuk ka kohë për të humbur për të vijuar reformat në të mirë të qytetarëve”.
Ai theksoi se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur për reformat dhe u bëri thirrje palëve që të angazhohen në zgjidhjen e problemeve. Në mesazhin e tij, McAllister theksoi se nuk mund të ecet përpara pa një opozitë konstruktive.
“Ne përqendrohemi te plani A dhe përpjekjet diplomatike po bëhen për të zhbllokuar procesin. Së dyti, Shqipëria nuk ka kohë për të humbur për të vijuar reformat. Edhe këtu plani A është bashkëpunim konstruktiv politik dhe konkurrencë, sipas një procesi të duhur parlamentar. I bëjmë thirrje palëve politike për t’u angazhuar për zgjidhjen e problemeve. Nuk mund të ketë ecuri pa pasur një opozitë konstruktive. Më lejoni të jem i qartë, Shqipëria ka arritur progres të qartë. Po bën reforma të rëndësishme, si ajo e vettingut. Shqipëria jo vetëm që duhet të trajtojë mungesën e pluralizmit politik, por edhe të lejojë lirinë e medias. Duhet të heqë ato mangësi zgjedhore që kanë mbetur”, deklaroi ai. (A2 Televizion)