Më 24 maj, një sinjal “alien” nga Hapësira pritet të mbërrijë në Tokë

Nga A2 CNN
23 Maj 2023, 12:01 | Lifestyle
Më 24 maj, një sinjal “alien” nga Hapësira pritet

Më 24 maj 2023, në orën 21:16 me orën tonë, Toka duhet të marrë një sinjal që vjen nga Hapësira dhe që përmban një mesazh të koduar që duhet të interpretohet. Bëhet fjalë për një ngjarje në kuadër të projektit "A Sign in Space", i kryer nga një grup ekspertësh ndërkombëtarë, që përfshin një sondë që është në orbitë rreth Marsit, ExoMars Trace Gas Orbiter (Tgo) të Agjencisë Evropiane të Hapësirës dhe tre teleskopë. Projekti kërkon një përgjigje për pyetjen: "Çfarë mund të ndodhë me njerëzimin nëse do të mbërrinte një sinjal nga një qytetërim jashtëtokësor?".

Në orën 21:00, sonda ExoMars do të transmetojë një mesazh të koduar në Tokë që dëshiron të simulojë marrjen e një sinjali të dërguar nga një qytetërim alien inteligjent për njerëzimin.

Mesazhi do të mblidhet 16 minuta më vonë (koha e nevojshme për të mbuluar distancën aktuale midis Marsit dhe Tokës) nga radio-teleskopi i Medicina në Bologna i menaxhuar nga INAF (Instituti Kombëtar i Astrofizikës), i cili ka një parabolë me diametër 32 metra, të cilit do t'i bashkohen për këtë rast dy radio teleskopë amerikanë, grupi i teleskopëve Allen i Institutit Seti, në Kaliforni dhe teleskopi Robert C. Byrd Green Bank në Observatorin Green Bank (Gbo), Virxhinia Perëndimore. Përmbajtja e mesazhit aktualisht është sekrete dhe është zhvilluar nga ekipi ndërdisiplinor i studiuesve.

Detyra jonë është të mundohemi të deshifrojmë mesazhin dhe të interpretojmë atë që përmban. Pra kërkohet analizimi i sinjaleve reale të qytetërimeve të mundshme jashtëtokësore.

“Gjatë historisë, njerëzimi ka kërkuar kuptimin në fenomene të fuqishme dhe transformuese. Marrja e një mesazhi nga një qytetërim jashtëtokësor do të ishte një përvojë thellësisht transformuese për të gjithë njerëzimin. "A Sign in Space" ofron një mundësi të paprecedentë për të përjetuar dhe përgatitur në mënyrë të prekshme këtë skenar përmes bashkëpunimit global, duke nxitur një kërkim për kuptimin pa afate të përcaktuara, duke përfshirë të gjitha kulturat dhe disiplinat", shprehet ekspertja italiane, Daniela De Paolis.

Kushdo që dëshiron të ndjekë ngjarjen do të mund ta bëjë këtë në https://asignin.space/the-message/ , dhe menjëherë pas transmetimit, do të mund të shkarkojë të dhënat për të tentuar të dekodojë mesazhin dhe të interpretojë përmbajtjen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos