Mediu: Qëllimi ynë, ndërtimi i shtetit të së drejtës

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2020, 11:15 | Politikë
Mediu: Qëllimi ynë, ndërtimi i shtetit të së

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, dhe profesor Selami Xhepa, rektor i Universitetit  Europian të Tiranës, zhvilluan një bashkëbisedim me studentë, pedagogë dhe profesionistë, të cilët kanë studiuar në Shqipëri, në vendet e BE dhe SHBA.

Ky bashkëbisedim, me rastin e 8 Dhjetorit, Ditën e Lëvizjes Studentore, riktheu ditët e protestave të studentëve, por mbi të gjitha gjendjen jashtëzakonisht të rëndë ekonomike dhe politike pas 30 vitesh në Shqipëri. Mediu dhe Xhepa vlerësuan rolin dhe kurajon e studentëve të dhjetorit në përballjen dhe përmbysjen e sistemit komunist dhe fillimin e pluralizmit shqiptar me themelimin e Partisë Demokratike.

Ata evidentuan arritjet e pluralizmit dhe demokracisë shqiptare në këto 30 vite, por dhe problemet që kanë shoqëruar tranzicionin e gjatë shqiptar.

Profesor Selami Xhepa theksoi se Partia Demokratike, Partia Republikane si dhe e djathta ishin promotorë të zhvillimit të ekonomisë së tregut dhe vlerave të demokracisë liberale, në një shtet tërësisht te rrënuar politikisht dhe ekonomikisht nga diktatura komuniste si asnjë vend tjetër i lindjes komuniste. Motivi i shqiptarëve, i cili u kthye në qëllim kombëtar ishte, “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, në partneritet me SHBA dhe BE për të integruar Shqipërinë dhe kombin shqiptar drejt strukturave Euro-Atlantike.

Kryetari PR theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, liberalizimi i vizave janë nga fitoret me rëndësi të madhe historike për shqiptarët nën qeverisjen e kryesuar nga Sali Berisha: “Këto arritje kombëtare erdhën për shkak të luftës me krimin dhe korrupsionin dhe duke u orientuar në reforma të thella ekonomike dhe institucionale”.

Mediu shprehu nevojën e një ndryshimi të domosdoshëm në qeverisje dhe Parlament: “Qëllimi ynë duhet të jetë ndërtimi i shtetit të së drejtës, standardeve europiane kushtetuese, ku përcaktohen qartë roli i 3 pushteteve, kontrolli dhe balancimi i tyre në mbështetje të lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë; Ndërtimin e një shteti ku drejtësia duhet t’i shërbejë interesit te qytetarëve dhe të garantojë barazinë përballë ligjit. Për fatin e keq, sot nuk jemi një Republikë Parlamentare, por një Republikë e një individi, e Edi Ramës, i cili ka ndërtuar një regjim të korruptuar, duke shkatërruar ekonominë, liritë dhe të drejtat e shqiptarëve dhe duke iu kundërvënë Europës. Parlamenti duhet të jetë një institucion i rëndësishëm që përfaqëson interesat e qytetarëve dhe si i tillë duhet patjetër të ketë mundësi të zgjedhin deputetët që do i përfaqësojnë, si dhe deputetët të jenë të përgjegjshëm përballë qytetarëve dhe jo vetëm partive politke. Zhvillimi i ekonomisë kërkon politika mbështetëse ndaj biznesit, taksa të ulëta dhe siguri juridike. Shqipëria është vendi më i varfër në Europë, jo se i mungojnë resurset dhe kapacitetet njerëzore, por sepse i mungon një qeverisje e drejtë. Regjimi i korruptuar i Edi Ramës, taksat e qytetarëve i përdor për afera korruptive dhe politika klienteliste”.

Shumë studentë ngritën shqetësimin e pamundësisë për punësim, apo vlerësim të meritës së tyre si dhe pamundësisë për të hapur dhe zhvilluar biznes, prandaj kjo situatë e rëndë ka detyruar bashkëmoshatarët e tyre të largohen nga Shqipëria. Ata theksuan se universitetet duhet të gëzojnë autonominë e tyre dhe të mos jenë nën kontrollin e qeverisë. Në përfundim, të gjithë bashkëbiseduesit theksuan nevojën e përfshirjes në politikë për të ndryshuar Shqipërinë në 25 prill dhe për t’u ribashkuar me Europën, me një qeverisje të djathtë dhe të përgjegjshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos