30 vite nga lëvizja studentore, Krasniqi: Zëvendësuam Bllokun me Bllokun e ri

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2020, 10:03 | Politikë
30 vite nga lëvizja studentore, Krasniqi: Zëvendësuam Bllokun me

Analisti i A2, Afrim Krasniqi, u shpreh në një lidhje me “Ditari” se “mesazhi i lëvizjes rinore është realizuar, për sa kohë që sot qytetarët i kanë ato të drejta që nuk i kishin në vitin 1990”, por, sipas tij, demokracia dhe liria që kemi sot, “nuk funksionojnë në nivelet që duam dhe që presin qytetarët”.

Krasniqi theksoi se, “në vend që të rrëzonim mentalitetin e periudhës komuniste, zëvendësuam bllokun me bllokun e ri”.

“Ne ndoshta jemi i vetmi vend ish-komunist që nuk pati asnjë të përndjekur politik në pozita të larta drejtuese, por ish-shtresa e mesme e Partisë së Punës mori në dorë frenat e tranzicionit. Atëherë ishim të varfër, por kishim shumë shpresë. Sot, ka njerëz të pasur, por nuk ka më shpresë. Ky është dallimi themelor”, nënvizoi Krasniqi.

Në lidhje me integrimin europina, analisti u shpreh: “Elitat që qeverisin dhe ata që janë alternativë e tyre, nuk e kanë ëndrrën e Shqipërisë në BE, për sa kohë ndihen komod me mënyrën se si e qeverisin Shqipërinë midis tyre dhe me marrëveshje midis tyre. Sot, ka hendek të madh mes atyre që marrin vendime dhe çfarë qytetarët presin prej tyre. Ky është një hendek i madh që perëndimorët nuk e pranojnë dot, sepse ka të bëjë me Shqipërinë reale dhe virtuale. Ne i ofrojmë Perëndimit një Shqipëri të mirë në letër, në ligje, por që nuk i zbaton ato. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese, asnjë zyrtar të lartë që përballet me drejtësinë për korrupsion dhe nuk ka garanci që vendi do të ketë stabilitet”.

“Unë mendoj që Gjermania e përkrah vendin tonë dhe nuk ka tërheqje nga ana e saj, por një Gjermani që është e detyruar të reflektojë konsensus në BE. Nuk ka shtete kundër Shqipërisë në BE, ka shtete që tregohen serioze kur ne nuk tregohemi seriozë. Ata na dhanë kushtet për t’u plotësuar në 6-7 muaj dhe ne nuk kemi plotësuar asnjë prej tyre. Përkundrazi, miratuam Reformën dhe paketën antishpifje në mënyrë të njëanshme, duke krijuar dy probleme të reja. Psikologjia që dikush në Europë nuk na do, mendoj që është për konsum të brendshëm dhe nuk i shërben integritetit. Kur BE-ja të thotë “duam Gjykatë Kushtetuese” dhe nuk shikon asnjë lider politik që të dalë në konferencë dhe të kërkojë të njëjtën gjë, do të thotë se ata që e kanë në dorë ta bëjnë këtë gjë, nuk duan ta bëjnë. Madje, kanë nxjerrë tezën, siç është teza aktuale e kryeministrit, që vendet europiane kanë probleme zgjedhore dhe ne jemi peng i këtyre problemeve. Kjo është tezë e vitit 1989, duhet ta kishim lënë pas”, shtoi Krasniqi.

Sipas tij, “tërheqja e njerëzve të zgjuar dhe emigrimi i profesionistëve është dëmi më i madh që i bëjmë Shqipërisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos