Merkato e verës, Gabriel Jesus zyrtarzohet tek Arsenal, Dybala mendon Anglinë

Nga A2 CNN
4 Korrik 2022, 13:14 | Futboll
Merkato e verës, Gabriel Jesus zyrtarzohet tek Arsenal, Dybala mendon

Merkatoja e verës ka nisur me shumë surpriza dhe dilema sa i takon të ardhmes së disa prej futbollistëve. Një nga emrat më të lakuar së fundmi është ai i Paolo Dybala. Argjentinasi nuk ka dhënë ende fjalën e fundit dhe ofertat nga skuadrat e Milanos duket se nuk e kanë bindur Dybala-n të qëndrojë në Itali. Së fundmi, po qarkullojnë lajme se argjentinasi po mendon dhe Premier League si destinacionin e mundshëm për të vijuar karrierën e tij.

Dy skuadrat e interesuara për 28-vjeçarin janë Manchester United dhe Arsenal. Argjentinasi do i pëlqente kalimi në Angli si një eksperiencë e re pas 7 vitesh me fanellën bardhezi. Ndërkaq, javë vendimtare duket për Juventus që ka gati dy goditjet e mëdha në merkato.

E marta në mbrëmje pritet të jetë dita e Paul Pogba dhe Angel di Maria në Torino. Pas firmës dhe vizitave mjekësore, të dy do t’i bashkohen skuadrës për të nisur përgatitjet e sezonit të ri. Dilemë mbetet e ardhmja e Mathijs DeLigt. Chelsea po bën çmos për të marrë shërbimet e lojtarit, por Zonja e Vjetër as nuk e mendon kalimin e De Ligt pa minimumi 80 milionë euro plus bonuse.

Bardhezinjtë shpresojnë që në garë të futet dhe Manchester City pasi vetëm në këtë mënyrë oferta për mbrojtësin mund të shkojë deri në 100 milionë euro. Tashmë është zyrtare, Gabriel Jesus është lojtari më i ri i Asrenal. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi anglez nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Jesus ka nënshkruar kontratë me “Topçinjtë” deri në vitin 2027, teksa do të mbajë numrin 9 në fanellë. Me Manchester City ai shënoi 95 gola në 236 ndeshje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos