Mes peshkaqenëve dhe kushteve të vështira atmosferike, notari përshkon Detin e Kuq

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2022, 13:24 | Lifestyle

Më parë kishte notuar në ujërat më të ftohta të botës, por për sfidën e tij të fundit, Lewis Pugh kaloi në ekstremin e kundërt. Ai u bë personi i parë që përshkoi me not Detin e Kuq, një aventurë që zgjati 16 ditë dhe e përballi atë me rreziqe të shumta. Dallgë të mëdha, diell i fortë dhe temperatura të larta të ujit, po pavarësisht këtyre, Pugh luftoi me rraskapitjen dhe dehidratimin.

Pugh, notar nga Mbretëria e Bashkuar, është mësuar të përballet me kushte ekstreme në oqeane dhe dete të ndryshme. Mirëpo noti maratonë nga ishulli Tiran në Arabinë Saudite drejt Hurghada-s në Egjipt paraqiste një mori vështirësish, edhe për shkak të trafikut të anijeve që kalojnë në Gjirin e Suezit. Në total, ai përshkoi një distancë prej rreth 123 kilometrash.

Aventura mbartte gjithashtu rrezikun edhe të peshkaqenëve, pasi Deti i Kuq është shtëpia e më shumë se 40 lloje peshkaqenësh. Si mbrojtje, pjesa e poshtme e varkës mbështetëse të Pugh ishte e pajisur me një aparaturë elektronike e aftë për të zmbrapsur peshkaqenët brenda një rrezeje prej katër metrash.

Megjithatë, përveç rreziqeve të shumta, jeta detare që Pugh pa nga afër e la atë të mahnitur nga bukuria magjepsëse. "Kur notoni nëpër shkëmbinjtë nënujorë koralorë, është absolutisht përrallore, sepse ngjyrat janë kaq të gjalla – të verdha, vjollcë, jeshile, dhe sigurisht e gjithë jeta e egër që jeton në to”, thotë ai.

Notarit iu bashkua në eksperiencës e tij edhe notarja Mariam Saleh Bin Laden – e cila u bë e para saudite dhe gruaja e parë që notoi nga Arabia Saudite në Egjipt, si dhe notari egjiptian Mostafa Zaki. Pugh deklaroi se qëllimi i këtij misioni, ishte të sillte në qendër të vëmendjes ekosistemet e rrezikuara detare, dhe veçanërisht shkëmbinjtë koralorë. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/11/04/mbreteresha-e-thellesive-87-vjecarja-qe-ka-kaluar-me-shume-se-7000-ore-nen-uje/

A2 CNN Livestream

Latest Videos