Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është zhvendosur brenda burgut të Fierit në sektorin spitalor, që ndodhet në të njëjtin institucion, nga sektori A i paraburgimit, ku ishte vendosur një javë më parë.
Zhvendosja e Veliajt në sektorin ambulator ka ndodhur katër ditë më parë, sipas burimeve nga burgu i Fierit.
Ky transferim është kryer pas gjetjeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, si dhe ankesave të kryebashkiakut, i cili pretendon se gjendja e tij shëndetësore nuk është vlerësuar siç duhet.
Pak kohë më parë, gjatë periudhës kur Veliaj mbahej në paraburgimin e Durrësit, ai kishte pësuar dëmtime në këmbë, pasi kishte luajtur futboll.
Qëndrimi i tij në sektorin spitalor do të jetë i përkohshëm dhe synon vlerësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Kujtojmë se Veliaj u transferua një javë më parë nga burgu i Durrësit drejt atij të Fierit. Ky vendim solli edhe reagimin e kryebashkiakut dhe avokatit të tij, Plarent Ndreca, të cilët akuzuan kryeministrin si urdhëruesin e këtij transferimi. (A2 Televizion)