Hungaria hap dosjet e policisë sekrete: Shumë familje do përballen me informacione të vështira

Nga Erjon Dervishi
4 Nëntor 2026, 19:05 | Bota

Hungaria hap dosjet e policisë sekrete: Shumë familje do

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Hungaria publikoi të mërkurën dhjetëra mijëra dosje të policisë sekrete të epokës komuniste në një bazë të dhënash publike online, duke hapur një dritare mbi rrjetin e gjerë të informatorëve të përdorur për të spiunuar qytetarët gjatë dekadave të sundimit komunist.

Ky veprim historik, më shumë se 36 vjet pas rënies së komunizmit, është pjesë e premtimit të kryeministrit të qendrës së djathtë, Peter Magyar, për të bërë publike dokumentet dhe për t'u dhënë mundësi hungarezëve të përballen me të kaluarën e tyre totalitare.

“Po e zbatojmë tani, pas 36 vitesh, atë që ishte një premtim i rëndësishëm i ndryshimit të regjimit të vitit 1990, një premtim që më pas u mohua dhe u errësua nga gënjeshtrat. Sigurisht që të gjithë jemi dakord se kjo duhet të kishte ndodhur kur shumica e viktimave dhe autorëve ishin ende gjallë.”

Dosje të tjera pritet të publikohen deri në shkurt të vitit 2027, por dokumentacioni mbetet larg të qenit i plotë, pasi shumë dosje u shkatërruan në vitin 1956, gjatë kryengritjes antisovjetike në Hungari, si dhe gjatë viteve 1988-1989.

“Do të doja t'u kërkoja të gjithëve që ta trajtojnë këtë ndryshim të vonuar të regjimit, këtë publikim të vonuar të dokumenteve dhe këtë zbulim të vonuar të dosjeve me dinjitet dhe njerëzi. Shumë familje tani do të përballen me informacione të vështira, shpesh të lidhura me një anëtar të ndjerë të familjes së tyre.”

Edhe pse sundimi komunist mori fund në vitin 1989, Hungaria e vonoi hapjen e plotë të dosjeve për shkak të mungesës së vullnetit të fortë politik nga qeveritë e njëpasnjëshme.

Deri më tani, me përjashtim të studiuesve, qytetarët e zakonshëm kishin të drejtë të shihnin vetëm të dhënat që lidheshin me ta ose me të afërmit e tyre të ngushtë.

Ndërsa nga e mërkura, çdo qytetar mund të kërkojë në bazën e të dhënave online emra të lidhur me ish-shërbimet e sigurisë shtetërore, duke bërë të mundur një qasje më të gjerë në dokumentet e periudhës komuniste.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos