KE, përmes udhërrëfyesit, i jep mundësinë Shqipërisë që të mbyllë negociatat në fund të vitit 2027 dhe të nisë nënshkrimin e Traktatit të Anëtarësimit vitin e ardhshëm. Por ky proces do të varet nga reformat që duhet të realizojë vendi ynë, nga forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit, legjislacioni për mjedisin dhe dialogu politik.
E pyetur nga A2 CNN se kur mund të bëhet Shqipëria anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tregoi se cilët janë faktorët që mund ta bëjnë të mundur këtë.
“Po, Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian nëse qeveria dhe parlamenti përmbushin detyrimet e tyre, dhe nëse shtetet anëtare e mbështesin këtë proces.”
Brukseli është i shqetësuar se protestat dhe ngjarjet e fundit mund të kenë ngadalësuar reformat në Tiranë. Në raportin e KE-së evidentohen rastet e dhunës gjatë tubimeve dhe nevoja për dialog.
E pyetur nëse protestat në Shqipëri mund të marrin përmasat e një lëvizjeje studentore, si në Serbi, Kos iu përgjigj A2 CNN duke vënë në dukje mundësitë që procesi i integrimit evropian u jep qytetarëve shqiptarë për të realizuar kërkesat e tyre.
“Sa u përket protestuesve apo protestave në Shqipëri, është e rëndësishme që njerëzit të kenë mundësinë të shprehin mendimin e tyre. Një pjesë e kërkesave të tyre lidhet drejtpërdrejt me atë që ne po bëjmë në kuadër të procesit të anëtarësimit, konkretisht në Kapitullin 27, që ka të bëjë me legjislacionin për mjedisin. Ky është vetëm një shembull se si procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian mund të ndihmojë në arritjen e qëllimeve, përfshirë edhe ato të përfaqësuesve të shoqërisë civile.”
Në raportin e KE-së për Shqipërinë evidentohet polarizimi i thellë politik, mungesa e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe mbikëqyrja e dobët parlamentare ndaj ekzekutivit.
“Refuzimi sistematik i kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, përballjet verbale dhe mungesa e dialogut politik midis partisë në pushtet dhe partisë kryesore opozitare vazhduan të ndikojnë në punën e Parlamentit. Rastet e dhunës së pretenduar çuan në pezullimin e gjashtë anëtarëve të opozitës nga Sekretariati për Etikën në Parlament.
Kur nismat paraqiteshin nga Parlamenti, ato vinin kryesisht nga partia në pushtet. Kjo dobësoi rolin dhe përgjegjësinë e Parlamentit në procesin legjislativ dhe kufizoi dialogun ndërpartiak. Shumica qeverisëse vazhdoi t'i rezistonte dhe të vononte zbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.”
Polarizimi politik dhe mungesa e dialogut evidentohen në dokumentin e KE-së edhe përmes rastit të Komisionit të Reformës Territoriale, ku produkti përfundimtar u miratua nga Parlamenti vetëm me propozimin e mazhorancës. Por Brukseli kërkon që e njëjta situatë të mos përsëritet me reformën zgjedhore.
“Disa rekomandime të kahershme të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias mbeten ende pa u adresuar. Një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore është e nevojshme urgjentisht, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.”
Sipas udhërrëfyesit, mbyllja e kapitujve të negociatave do të realizohet në tri faza.
Deri në fund të vitit 2026 parashikohet mbyllja e kapitujve që lidhen me pronësinë intelektuale, politikën ekonomike dhe monetare, të drejtën e shoqërive tregtare, peshkimin dhe akuakulturën, rrjetet transeuropiane, si dhe politikën e jashtme.
Në gjysmën e parë të vitit 2027, lista përfshin 10 kapituj, mes tyre edhe prokurimin publik. Ndërsa në gjysmën e dytë të vitit 2027 parashikohet mbyllja e kapitujve të mbetur, duke lënë në fund Kapitullin e parë të grupkapitujve themelorë.
(A2 Televizion)