Mes shiut dhe vetëtimave, festa e çmendur e City-t për tripletën në Mançester

Nga A2 CNN
12 Qershor 2023, 22:44 | Futboll

Një paradë e çmendur në Mançester, ku dy autobusë të hapur u përdorën për të parakaluar përmes qytetit, ishte mënyra me të cilën City u tregoi tifozëve tre trofetë e fituar në këtë sezon, Premier League, FA Cup dhe Champions League.

Një dhe i vetmi, Jack Grealish kryesoi paradën me autobusë, madje duke dalë i zhveshur pavarësisht shiut të rrëmbyeshëm dhe rrufeve. Edhe tifozët sakrifikuan për të parë heronjtë e tyre, pavarësisht se parada u vonua me më shumë se një orë për shkak të kushteve të tmerrshme atmosferike.

Sakaq ekipi dhe Pep Guardiola nga selia e klubit deri në qendrën e qytetit ku hipën në autobusat e hapur, përdorën tramvajin.

Vetë Guardiola u pa duke pirë një puro gjatë festimeve, ndërsa tifozët valëvitën flamuj dhe kënduan koret për ekipin e tyre.

City e forcoi pozicionin e vetë si një nga skuadrat më të mëdha në histori duke ngritur Ligën e tyre të parë të Kampionëve me një fitore 1-0 ndaj Interit të shtunën.

Klubi ka qenë në festë prej mbrëmjes së Stambollit, me Grealish që drejton atmosferën e çmendur të “The Citizens” me këngë rap dhe shumë alkool. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos