Dorëzohet Italia, Uruguai triumfon në Botërorin e 20-vjeçarëve

Nga A2 CNN
12 Qershor 2023, 10:48 | Futboll
Dorëzohet Italia, Uruguai triumfon në Botërorin e

Uruguai fitoi trofeun e parë të Kupës së Botës për 20-vjeçarë në histori. Skuadra latine triumfoi 1-0 përballë Italisë në finale e luajtur në La Plata të Argjentinës.

Një ndeshje e dominuar nga fillimi deri në fund, ku pavarësisht rezultatit minimal, gjithçka konfirmohet nga statistikat. Uruguaianët regjistruan 15 goditje drejt portës, përballë vetëm tri tentativave të Italisë.

Sfida u zhbllokua vetëm në minutën e 86-të, kur pasiguria e mbrojtjes së të kaltërve u shfrytëzua nga mesfushori Luciano Rodriguez, që me kokë e dërgoi topin në rrjetë.

Finalja e Botërorit të 20-vjeçarëve u ndoq nga 40 mijë spektatorë. Pjesa më e madhe e të pranishmëve në stadiumin Diego Maradona natyrisht që mbështesnin Uruguain.

13 minutat shtesë të sfidës nuk i mjaftuan Italisë për të evituar humbjen. Vërshëllima finale e arbitrit bëri që të shpërthente festa e latinëve.

Në finalen për vendin e tretë, Izraeli vazhdoi paraqitjet e mira, duke fituar me rezultatin 3-1 përballë Koresë së Jugut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos