
Thonë se ata, të rinjtë, nuk po lexojnë më si brezat dikur. A2 do t’ju sjellë sot të rinj që jo vetëm lexojnë, por edhe shkruajnë.Por, çfarë i shtyn këta të rinj të shkruajnë e të shkojnë përtej magjisë së leximit?
Shumë pak prej këtyre të rinjve thonë se poezia apo një tekst i tyre është shkruar si revoltë për gjërat që ndodhin, por si një revoltë për të menduar më shumë. Pandemia dhe izolimi brenda mureve, thuajse i ka shtyrë drejt kësaj rruge pak më shumë. Kanë reflektuar dhe i kanë besuar rreshtave që kanë shkruar. I kanë rilexuar dhe kanë vendosur të punojnë sërish mbi to, për të nxjerrw në dritë disa syresh.
Në takime të tilla ata mblidhen pak, shumë pak flasin me njëri-tjetrin, duke u përballuar me rreshtat që kanë shkruar, shumë pak e njohin njëri-tjetrin, por në instalacionin “Lehtësia e poezisë”, pikërisht në hollin e Ministrisë së Kulturës, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit i ka bërë bashkë. Në këto mbrëmje poetike, mbajtur në fund të këtij viti të vështirë, njohëm këta të rinj që jo vetëm guxonin të shkruanin e të botonin, por të kërkonin edhe kritikën.
Por, në këtë rrugëtim ata kërkojnë thjesht të mos i lënë vetëm dhe t’i besojnë më shumë, qoftë edhe me takime të tilla. Dhe pesë takimeve që ndoqi A2 iu bashkuan edhe të rinj të tjerë. Me maska, por me zërin e poezive, ata u bënë bashkë në përballjet e para për t’u njohur me veten dhe me tjetrin.
Për Alda Bardhylin, drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi për këta të rinj dhe ajo është e lumtur t’i hapë derën e qendrës, bashkë me të edhe hollin e ministries, për t’i dhënë një shans këtyre të rinjve që duan të përcjellin art.
Sepse në fakt, do të duhet t’i dëgjojmë e t’i lexojmë, përpara se t’i gjykojmë ata, të rinjtë. (A2 Televizion)