Mesazhe shprese në kohë të trishta

Nga A2 CNN
29 Mars 2020, 20:53 | Lifestyle
Mesazhe shprese në kohë të trishta

Kur Aurela Gaçe këndoi këto vargje ndoshta nuk e kishte menduar as Tiranën dhe as qindra qytete të tjera në botë të izoluara kështu. Trishtimi dhe sakrifica në emër të jetës tani i takon banorëve të tokës.

Vetë artistja ka ndarë si mesazh për këtë periudhë të vështirë, izolimin e saj të dikurshëm në emër të jetës. Kështu lindi edhe vajza e dytë e artistes që sot e duan të gjithë. Sepse, jeta di të prevalojë mbi vdekjen, edhe në këto kohë të trishta.

Sepse bebe plot jetë lindin këto ditë duke na dhënë mesazhe të shpresës. Një fëmijë është një gëzim, por dy duket si një bekim i vërtetë. Kështu ka ndodhur edhe në familjen Pengili. Në këtë shtëpi, dy të rinj sapo kanë pritur bashkë me vajzën e tyre Chloen edhe dy bebe të tjerë.

Ishte 21 mars kur Sandra solli në jetë djalin Hansi dhe vajzën Michelle, që janë motra dhe vëllai i Chloes së bukur, një vajzë 4-vjeçare që këto kohë ka qëndruar në shtëpi për të pritur mrekullitë që do t’i sillnin prindërit.

Lora është një tjetër bukuroshe që këto ditë izolimi ka marr një dhuratë të çmuar nga mami Mirjana dhe babi Mauricio. Lora 6-vjeçare është bërë me një motër që së bashku me prindërit kanë vendosur ta quajnë Luna.

Vetëm në redaksinë e A2 CNN këto ditë izolimi stafi është shtuar me tre fëmijë të shëndetshëm, që pa diskutim na sjellin mesazhin më të bukur në tokë, atë të jetës. Dy prej tyre janë Inalti dhe Era, binjakët që lindën më 17 mars 2020 në Tiranë. Sigurisht, reporteri Mariglen Mulla, që shpesh e keni parë përmes ekranit, tanimë ka një detyrë tjetër: t’i qëndrojë pranë familjes në emër të jetës.

Izolimi me siguri do të jetë i vështirë për ta, ashtu sikurse edhe për shumë vajza që sot do të duhej të ishin në një pritje të ëmbël, por gjenden të izoluara dhe mbeten vetëm me përkëdheljet e tyre dhe shëtitjet e vogla nëpër shtëpi.

Por, forca është e madhe, sepse jeta do të triumfojë sërish. Sepse të tilla mesazhe po marrin jetë sot nga shumë ballkone të botës, nga shumë shtëpi, edhe nga shtëpia jonë, ajo e A2, që i uron të gjithë këtyre fëmijëve një jetë të gjatë e të mbushur me gëzime. Ne do t’ia dalim! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos