Mësim në kohë pandemie, Mehmeti: Plani është kaotik, nuk di si do të mbarojë shkolla në orën 12 të natës

Nga A2 CNN
25 Gusht 2020, 13:47 | Aktualitet
Mësim në kohë pandemie, Mehmeti: Plani është kaotik,

Shkollat do të rihapen më 14 shtator, por si rikthehen fëmijët në banka, a ka garanci e siguri që masat janë marrë paraprakisht dhe një mbrojtje konform rregullave anti-covid?

A janë të gatshme institucionet të mirëpresin rikthimin e tyre në këtë shtator të pazakontë? Përgjigje këtyre pyetjeve dhe të tjera u dha në A2 eksperti për çështjet e arsimit, Ndriçim Mehmeti.

Ai u shpreh se plani aktual për rinisjen e mësimit është kaotik. “Masat që përcaktohen në plan, unë i kam quajtur masa për mosfillimin e vitit të ri shkollor. Plani është kaotik, i pazbatueshëm. Nuk mundet që Instituti i Shëndetit Publik të urdhërojë punonjësit që nuk i ka në juridiksion fare, as t’i udhëzojë. Plani mundeni, bëni si të mundësi. Por nëse është ‘bëni si të mundeni’, atëherë askush nuk e ka në dorë. Plani ka lënë disa mangësi të theksuara. Çfarë do të ndodhë me fëmijët me aftësi dhe nevoja ndryshe? Kush do t’i mbajë? Ka probleme me transportin, me tualetet e të tjera.

Ta zëmë se do të bëhet me 5 turne, por unë nuk e di si do të mbarojë shkolla në orën 12 të natës dhe çfarë efektiviteti do të ketë. 400 veta do të plotësojnë formularin, por sa minuta do t’i duhen për të plotësuar formularin, kush do ta plotësojë këtë kohë? A kemi një program të arsimit për këto 30 minuta. Na u tha se do të bëjnë një program të veçantë për ata që nuk kanë plotësuar boshllëqet, por si do të ndodhë kjo për 11 ditë?”

Por çfarë duhet të ishte bërë që situata të ishte ndryshe për nisjen e mësimit në situatë pandemia? “Ministria e Arsimit nuk ka asnjë skenar. Duhet të ishte përgatitur një plan i hollësishëm, siç ka plan Italia, Kosova, e cila ka një grup mësuesish gati për t’i futur në sistem. Ne kishim dy shanse, e para, kemi 1200 deri në 1700 mësues, të cilët bëjnë praktikën profesionale përpara se të japin licencën. Këtyre, duke u dhënë 50% të pagës mund t’i fusim në mësim, të alternonim mësuesit me eksperiencë me këta mësues. Të përgatisnim një trup me 5600 deri në 6200 të ishin të gatshëm për t’u futur në sistem me një kontratë njëvjeçare, siç ka ndodhur edhe në shtetet fqinje”, u shpreh Mehmeti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos