
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, deklaroi sot se "shkollat do të kenë fleksibilitet në përzgjedhjen e varianteve të mësimit të kombinuar, në varësi të situatës së pandemisë, numrit të nxënësve, apo kushteve të tyre specifike, por gjithmonë duke ruajtur të gjitha rregullat higjieno-sanitare dhe të distancimit fizik".
"Skenari i mësimit të kombinuar do të nisë të zhvillohet nga data 1 dhjetor 2020 deri në një vendim tjetër, sipas rekomandimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS). Gjatë kësaj periudhe, do të vazhdojë të zbatohet i njëjti program mësimor, të njëjtat plane mësimore e ngarkesa të mësuesve, si dhe rekomandohet të zbatohet orari mësimor që shkollat kanë aktualisht", u shpreh ministrja.
Sipas udhëzuesit të Ministrisë së Arsimit:
- Klasat e arsimit fillor, nga e para në të pestën, dhe klasa e 12-të (pra maturantët) do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor në mjediset fizike të shkollës - njësoj siç kanë vepruar deri më tani me SKENARIN 1 të Udhëzuesit për fillimin e vitit shkollor 2020 – 2021;
- Ndërsa klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin në këtë mënyrë:
- Në javën tek, pra javën e parë dhe të tretë të muajit: 2 ditët e para të javës në mjediset e shkollës, dhe 3 ditët e tjera të javës online.
- Në javën çift, pra në javën e dytë dhe të katërt, ditët këmbehen: pra 2 ditët e para të javës nxënësit janë online dhe 3 ditët e tjera të javës me prezencë fizike në shkollë.
Në varësi të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në rast se shkollat kanë situata të rënduara në stafet mësimore apo te nxënësit, me urdhër të MASR, mund të aplikohet skenari kur vetëm klasat fillore (nga 1 tek e 5) dhe maturantët zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera bëhen online.
Dhe në raste më të rënduara, vetëm klasa 1 dhe klasa 12-të në mjediset fizike të shkollës, ndërsa të gjitha klasat e tjera do të zhvillojnë mësimin online. (A2 Televizion)