
Presidenti Meta i pret qytetarët pasditen e sotme në orën 17:00, në atë që kreu i shtetit e quan “Pranvera Kuqezi”.
Organizatorët bëjnë me dije se manifestimi, për të cilin nuk dihet kur do përfundojë, do të jetë paqësor, qytetarët do të mbajnë në duar flamuj kombëtarë dhe degë mimozash.
Sipas shkresës zyrtare të Presidencës, që i është dërguar drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, figuron se organizatorët janë presidenti Meta, këshilltarët e tij Bahri Shaqiri, Shemsi Premçi dhe Dedë Prenga.
Nëpërmjet kësaj shkresë, i kërkohet Policisë së Shtetit të garantoje mbarëvajtjen e aktivitetit, por pa praninë e dukshme të forcave policore.
Sakaq, përfaqësuesit e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, por nuk do të mbajnë fjalë para qytetarëve. Presidenti Meta do të jetë i vetmi nga radhët e politikaneve, i cili do t’i drejtohet me një fjalim qytetarëve.
Po ashtu, Presidenti do të firmosë disa dekrete, përmbajtja e të cilëve ende nuk është bërë e ditur. Lidhur me këto dekrete, deputetë të mazhorancës kanë deklaruar se ato do të kenë të njëjtin fat si dekretet e mëparshme të Presidentit, pra do të rrëzohen. (A2 Televizion)