
Presidenti Ilir Meta ka reaguar ndaj kryeministrit Rama, i cili një ditë më parë prezantoi kandidatët e Partisë Socialiste, duke i krahasuar ata edhe me rivalët nga PD, të cilët i paraqiti edhe me foto.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta shkruan se dënon me ashpërsi “dhunën verbale dhe linçimin publik ndaj Grida Dumës.
“E dënoj me ashpërsi dhunën verbale dhe linçimin publik, të papranueshëm për traditën shqiptare dhe çdo shoqëri demokratike, të bërë ndaj zonjës, njëherazi nënë e një fëmije të mitur, Grida Duma.
Asnjë ndarje politike nuk mund t’i japë të drejtë revanshit të rrugaçërisë, për më tepër kur këto sulme të papranueshme për moralin njerëzor dhe etikën institucionale, konsumohen nga personat e veshur me autoritetin e shtetit.
Duke besuar në reagimin e fuqishëm të shoqatave që angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të grave, i bëj thirrje Kryeministrit ende në detyrë, të kërkojë ndjesë publike dhe të tërheqë mbrapsht sulmin dhe fjalorin ordiner të përdorur ndaj zonjës Duma”, mbyllet reagimi i presidentit. (A2 Televizion)