
Ishte viti 1980 kur Michel Setboun vjen në Shqipëri, për të dokumentuar zhvillimin historik që po ndodhte asokohe.
“Atë kohë ishte shumë e vështirë të vije në Shqipëri. Do të duhej të lidheshe me diplomat apo me doktorin e Enver Hoxhës, apo me dikë që kishte lidhje me Shqipërinë dhe vendin tim. Ashtu gjeta edhe unë një mënyrë për të ardhur në 1981, por nuk arrita të vizitoja shumë vende. Isha i kontrolluar. Më pas, erdha sërish, në kohën e Ramiz Alisë, por këtë herë u maskova si një turist i zakonshëm dhe jo si fotoreporter, pasi përvoja e parë nuk rezultoi shumë efektive për mua”, shprehet Setboun.
“U riktheva prapë tani për ekspozitën e parë dhe më thanë “ne nuk jemi më njëlloj”, ndaj nisa të kërkoj përmes imazheve shqiptarët që kisha fotografuar. Ishte e vështirë në disa raste, pasi personazhet nuk pranonin të fotografoheshin sërish. U vinte turp dhe jo pak herë kishin raporte jo të mira me të shkuarëm. Megjithatë, secila është një histori e bukur për t’u treguar. Dikur e shihja Shqipërinë si një popull të varfër dhe materialisht, edhe nga ana e besimit. Sot e shoh të pasur, por shpesh indiferent ndaj të shkuarës”, shton Setboun.
Ekspozita çelet këtë fundjavë në kryeministri, në qendrën për hapje dhe dialog. (A2 Televizion)