100 mijë teste të shpejta, Dervishi: Kushti i vetëm të kryhet brenda 5-ditëshit të parë të simptomave

Nga A2 CNN
4 Dhjetor 2020, 19:50 | Aktualitet
100 mijë teste të shpejta, Dervishi: Kushti i vetëm të

Nga dita e hënë do të nisë aplikimi i testeve të shpejta në kryeqytet. Specialistja e Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, në një lidhje direkte me "Ditari" në A2, deklaroi se kushti i vetëm i aplikimit të tyre është që të kryhen brenda 5-ditëshit të parë të simptomave.

“Testi i shpejtë kryhet brenda 5 ditëve nga fillimi i shenjave dhe ka të njëjtën siguri si testet e tjera, por vetëm me kushtin që të kryhet brenda 5-ditëshit të parë të simptomave. Ky test i shpejtë i njohur nga OBSH ka një efikasitet 100%, nuk ka dyshime për diagnozën”, sqaroi Dervishi.

Ajo tha se janë 100 mijë teste të shpejta antigeni dhe do të jetë mjeku i familjes dhe Urgjenca që do të referojnë kryerjen e testimit në pikat e paracaktuara: “Janë 100 mijë teste të shpejta për diagnozë dhe në këtë rast do të jetë mjeku i familjes apo 127 që do të referojnë për kryerjen e testimit me teste të shpejta në pikat e paracaktuara. Çdo person që ka shenja dhe simptoma, t’i drejtohet mjekut të familjes nëse është brenda 5 ditëve nga dita e parë e shenjave dhe simptomave. Nëse kemi më shumë se 5 ditë, do të mbetemi te tamponi dhe PCR”.

Testi i shpejtë kryhet brenda 30 minutave dhe sipas specialistes Dervishi, kjo bën të mundur që të kryhet edhe hetimi epidemiologjik në kohë reale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos