Në reagimin e tij të parë ndaj sulmeve të Rusisë gjatë natës, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u ka kërkuar aleatëve të zbatojnë gjithçka që u ra dakord në Paris.
Zelensky thotë se Ukraina u godit nga më shumë se 800 dronë dhe 13 raketa gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, katër prej të cilave balistike.
Duke cituar raportet se një grua 32-vjeçare dhe fëmija i saj dy muajsh u vranë në Kiev, Zelensky thotë se “Vrasje të tilla tani, kur diplomacia e vërtetë mund të kishte filluar shumë kohë më parë, janë një krim i qëllimshëm dhe një zgjatje e luftës”.
"Koalicion i të vullnetshmëve" u takua në Paris këtë javë për bisedime të mëtejshme mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Presidenti francez Emanuel Macron tha, në krah të Zelenskit të mërkurën në Paris, se liderët e koalicionit do të mbështesnin planet për garancitë e sigurisë të hartuara nga ushtritë e tyre.
“Ne jemi të gatshëm si europianë të ofrojmë garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe popullin ukrainas, ditën që marrëveshja e paqes do të firmoset. Ky është një angazhim që e morëm përsipër në Uashington. Kontributet që u përgatitën, dokumentuan dhe konfirmuan këtë pasdite në nivel të ministrave të mbrojtjes, në mënyrë jashtëzakonisht konfidenciale. Më lejoni të them se puna përgatitore është e përfunduar”, tha Macron.
Edhe dy zyrtarë europianë thanë se planet teknike ishin finalizuar, por pa hyrë në detaje se çfarë nënkupton kjo.
Më herët, presidenti Vladimir Putin hodhi poshtë çdo sugjerim që aleatët e Ukrainës të dërgonin një "forcë sigurie" në vend, pasi të bihet dakord për një armëpushim me Rusinë. (A2 Televizion)