Mikpritje dhe biznes, mbi 30 mijë apartamente me qira ditore për turistët e huaj

Nga A2 CNN
6 Gusht 2023, 13:48 | Ekonomi
Mikpritje dhe biznes, mbi 30 mijë apartamente me qira ditore për

Nga dhomat e thjeshta private, tek apartamentet moderne, bashkë me shtëpitë tradicionale, bujtina, vila e madje ferma... shqiptarët po mikë-presin turistët duke bërë biznes. Aktualisht vetëm në një nga platformat e turizmit, atë Airbnb, rezultojnë të listuara mbi 17 mijë njësi akomoduese, kryesisht me qira ditore. Pjesa më e madhe e tyre, mbi 7 mijë gjenden në Vlorë, ndjekur nga Tirana, Saranda, Durrësi, Himara, Shkodra, Berati dhe Lezha.  

“Ka nga ata që kanë lënë apartamentet e tyre me qira ditore dhe vetë janë zhvendosur në zona të tjera ku apartamentet kushtojnë më lirë. Ka nga ata klientë që marrin apartamente me qira mujore dhe i japin me qira ditore. Ka nga ata që blejnë posaçërisht apartamente, i bëjnë me përmasa të vogla dhe i japin me qira ditore”, thotë agjentja e tregut imobiliar, Ogerta Bala.

Të dhënat nga AirDNA, një motor kërkimi që analizon çmimet e apartamenteve në gjithë botën tregojnë se një natë-qëndrim në Vlorë kushton mesatarisht 52 euro. Në Tiranë çmimi ulet në 42 euro, në Sarandë shkon në 58 euro, ndërsa në Durrës 51 euro. Çmime të larta ofron edhe Himara ndërsa në Shkodër, Berat e Lezhë çmimet mesatare për një natë luhaten nga 30 deri në 40 euro. 

“Kryesisht në kryeqytet dhe jo vetëm janë italianët ata që kërkojnë apartamente me qira ditore. Kjo pasi janë edhe më të shumtë në numër”, shprehet Bala.

Këtë sezon veror pohojnë agjentë nga tregu i pronave, kërkesë të shtuar nga turistët ka edhe për vilat, çmimet e të cilave janë ndjeshëm më të larta se njësitë e tjera akomoduese.

“Kam klientë që ofrojnë deri në 300 euro për një natë qëndrim në apartament pasi në disa zona strukturat hoteliere janë tërësisht të zëna”, shton ajo.

Bashkë me të dhënat e platformës tjetër Booking, numri i njësive akomoduese në listën e qiradhënies ditore shkon në mbi 30 mijë në gjithë vendin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos