Një platformë kulturore për Ballkanin Perëndimor, që do të adresojë problematika dhe do të ndihmojë artistët në programet e KE, si Creative Europe, Horizon ishin pikat kryesore të ministerialit të zhvilluar në Tiranë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh se kjo përpjekje bëhet sidomos për të rinjtë pasi e ardhmja është në dorën e tyre.
“Përgjatë këtij ministeriali u shpreh edhe një herë angazhimi për më shumë politika për të ndihmuar artistët e rinj, për t’i orientuar ata në programet e Komisionit Europian, për t’i bërë pjesë e nismave dhe politikbërjes, pasi e ardhmja është në dorën e tyre. Në krijimin e një tregu të përbashkët artistik në Ballkanin Perëndimor. Më shumë sensibilizim dhe luftë pa kompromis kundër trafikimit të paligjshëm të trashëgimisë kulturore, duke bashkëpunuar ngushtësisht mes strukturave të specializuara të vendeve tona”, deklaroi Margariti.

Ndërsa komisionerja e BE-së, Mariya Gabriel, theksoi se këtë vit mbështetja financiare për Ballkanin Perëndimor është rritur.
“Së pari duhet të theksoj se ne kemi në dispozicion 5 instrumente dedikuar seksionit të Kulturës dhe Edukimit. Dua t’ju kujtoj mbështetjen e veçantë, sidomos me Erasmus plus për vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe shuma për periudhën 2021-2027 është 374 milionë euro. Për herë të parë në programin e ri të Horizon Europe është një seksion dedikuar kulturës e kreativitetit dhe buxheti është 2.28 miliardë euro”.
Konferencën e përshëndeti edhe Ministrja e Kulturës franceze dhe përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse si Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut që ndanë projektet dhe eksperiencat e tyre. (A2 Televizion)