
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, u ka bërë thirrje të gjithë akademikëve brenda dhe jashtë vendit për të aplikuar në “Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë” (ASCAL), për të dhënë kontributin e tyre në konsolidimin e arsimit të lartë në vendin tonë.
Nëpërmjet një videomesazhi, ajo u ka bërë një thirrje të hapur, akademikëve që të aplikojnë për pozicionet si “Drejtor i Përgjithshëm” apo si një prej 11 anëtarëve të Bordit të Akreditimit, nga të cilët minimalisht 3 dhe maksimalisht 5 duhet të jenë të huaj.
Ministrja nënvizon se rritja e cilësisë së Arsimit të Lartë dhe përafrimi me standardet më të mira evropiane, janë ndër objektivat më madhore të mandatit të ri qeverisës, mbështetur edhe në Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2026, e cila është në fazë konsultimi publik dhe pritet të miratohet së shpejti.
“Ne synojmë të hapim dyert e universiteteve tona për bashkëpunim të ngushtë me universitetet më prestigjioze evropiane dhe të krijojmë kushtet e nevojshme që studentët tanë të mund të marrin në të ardhmen diploma evropiane, këtu, në Shqipëri. Në këtë mënyrë, mund t’i pajisim ata me dije dhe aftësi të konkurrueshme me studentët e Bashkimit Evropian”, shprehet ministrja Kushi.
Kriteret e aplikimit për thirrjet e akademikëve të interesuar gjenden në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ku kandidatët duhet të paraqesin letër motivimi dhe një CV në adresën zyrtare, deri më datë 30 qershor, 2021. (A2 Televizion)