Votat e opozitës parlamentar i dhanë mundësi mazhorancës të miratojë ndryshimet në kodin zgjedhor me shumicë përtej asaj kushtueses. Ishin 97 vota pro, ndërkohë që vetëm 15 prej deputeteve opozitarë votuan kundër, e 5 të tjerë abstenuan. Që në nisje të seancës u bë e qartë se opozita ishte e përçarë. Kur u pa qarta se mazhoranca i kishte siguruar numrat, Rudina Hajdari në shenjë revolte bllokoi për disa orë foltoren. “Jepini mundësi shqiptareve të votojnë ata që meritojnë të jenë këtu, dhe të shkojnë në koshin e plehrave ata që nuk e meritojnë”, deklaroi ndër të tjerat Hajdari, me tone të larta. I detyruar të flasë nga vendi, Edi Rama u hodh kundër të gjithëve, duke nisur nga Presidenti Meta. “SHPK për të lëshuar deri edhe viktimat e OFL-së, që kontaktohen në skuta katundesh nga i pari i vendit, nuk ka”, tha ai. I sigurt që i kishte marrë votat e mjaftueshme për të kaluar ligjin e zgjedhjeve, Rama nuk e fshehu konsideratën për “të vegjlit”, të cilëve ua kishte plotësuar disa kërkesa. “Kush jeni ju që i dashkeni të gjitha çfarë është PS, një lope që duhet të mbushë kovën që iu ra në dorë pa dashje? Partitë e vogla nuk i sjellin asgjë të mirë Shqipërisë”, deklaroi Rama drejtuar deputetëve. Më shumë se 20 deputetët të opozitës që dhanë votën pro kodit u quajtën tradhtarë nga kolegët e tyre. Por a i bleu Edi Rama? “Po pse qenkan blerë, mund të kenë një opinion të ndryshëm nga të tjerë. Ata nuk janë formacion i rregullt siç ishte PD-ja...”, deklaroi kryeministri pas votimit. Nga Parlamenti u largua i pa shqetësuar si nga partitë e reja që mund të krijohen ashtu edhe nga aleancat mes forcave ekzistuese. “Kush merr Bashën merr Ilirin, mos harroni”, u shpreh Rama duke u larguar. (A2 Televizion)
Miratohet Kodi Zgjedhor, përçahet opozita, mbi 20 vota pro mazhorancës
