“Mirë se vini në ferr!” Si “sardele në konservë”, grupi i dytë me 2000 të burgosur mbërrin në burgun famëkeq

Nga A2 CNN
16 Mars 2023, 16:17 | Bota

Burgu gjigant i El Salvadorit mirëpriti grupin e dytë me 2000 të burgosur të cilët do të mbyllen në një prej institucionet e vuajtjes së dënimit me kushtet më të rënda në botë.

Të lidhur dhe vetëm me mbathje, 2000 të burgosurit u shoqëruan nga një numër i madh rojesh brenda burgut “Izalco”, më i madhi në të gjithë hemisferën perëndimore, me një kapacitet prej 40 mijë vendesh.

Të gjithë ata që dërgohen aty, të cilët zakonisht janë anëtarë të bandave kriminale që veprojnë në El Salvador, por edhe SHBA dhe shtete të tjera përreth, do të flenë në qeli të vogla, pa dritare dhe në krevate pa dyshekë.

Burgu ndodhet në Tecoluca, 74 kilometër në juglindje të San Salvadorit. Çdo qeli ka vetëm dy tualete dhe dy lavamanë, dhe 80 shtretër, ku futen normalisht grupe me nga 100 të burgosur.

Edhe pse burgu ka palestër, sallë ngrënieje dhe salla ping-pongu, ato lejohet të përdoren vetëm nga rojet. Të burgosurit do të dalin nga qelitë vetëm për seancat gjyqësorë, ose për t’u futur në izolim.

Ministri i Mbrojtjes në El Salvador, Rene Francis Marino, tha se në këtë operacion morën pjesë 1200 efektivë të ushtrisë. 2000 të burgosurit e parë u dërguan atje muajin e kaluar, në ditën kur Parlamentit iu kërkua nga qeveria që të zgjaste me një muaj gjendjen e jashtëzakonshme në vend, që zgjat prej një viti, me vendim të Presidentit Nayib Bukele, si pjesë e luftës kundër krimit.

Që prej nisjes së operacionit janë arrestuar mbi 64 mijë kriminelë. Por kjo ka sjellë reagimin e grupimeve të të drejtave të njeriut, të cilët thonë se arrestimet bëhen pa urdhër nga gjykata dhe të burgosurit nuk kanë të drejtë të kenë avokat.

Kush janë bandat e El Salvadorit?

Në vitet e fundit, më shumë se 100 mijë banorë të El Salvadorit janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të kërcënimit nga bandat e rrugëve. Në fillim të muajit ata u përpoqën të merrnin në dorë karantinën, duke përdorur shkopinj dhe kërcënime ndaj njerëzve që dilnin nga shtëpitë.

Dy bandat kryesore janë “Barrio 18” dhe “Mara Salvatrucha”, e njohur ndryshe si  MS-13. Të dy bandat janë të përbëra kryesisht nga ish emigrantë në SHBA, të deportuar në El Salvador. MS-13 u themelua fillimisht në Los Anxhelos, për t’u përhapur më pas në qytete të tjera, por edhe në Meksikë, Kanada dhe Amerikën Qendrore në vitet 1970 dhe 1980.

Shumica e pjesëtarëve janë nga Amerika Qendrore, veçanërisht nga El Salvadori. Ato shquhen për mizorinë ndaj bandave të tjera por edhe njerëzve të zakonshëm. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2019/07/07/gangsteret-e-el-salvadorit-luten-per-heqjen-e-tatuazheve/
https://a2news.com/2019/10/03/bandat-e-los-anxhelos-ne-vitet-80/
https://a2news.com/2023/03/05/droge-balerina-kuaj-dhe-pitone-brenda-burgut-anarkik-ku-shitet-dhe-blihet-cdo-gje/

A2 CNN Livestream

Latest Videos