Mitsotakis e konfirmon: Greqia do t'i hapë dritën jeshile martesave të së njëjtës gjini

Nga A2 CNN
5 Korrik 2023, 14:53 | Ballkani
Mitsotakis e konfirmon: Greqia do t'i hapë dritën jeshile

Më pak se dy javë nga rikonfirmimi me votë në zgjedhjet e 25 qershorit të qeverisë së tij të djathtë, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka dhënë një intervistë për Bloomberg.

Ai ka prekur disa nga çështjet më të nxehta, siç janë martesat e së njëjtës gjini, marrëdhëniet me Turqinë, demarkacioni i zonave detare dhe rritja e investimeve në turizëm.

Sa i përket martesave të çifteve të së njëjtës gjini, Mitsotakis konfirmoi se shumë shpejt Greqia do të çelë dritën jeshile.

"Shoqëria greke është shumë më e gatshme dhe më e pjekur. Martesat e çifteve të të njëjtit seks do të bëhen realitet dhe janë pjesë e strategjisë sonë”, tha kryeministri grek për këtë çështje.

Ndërkohë, siç vëren Bloomberg, Greqia kërceu me 5 vende në renditjen e organizatës ILGAEurope për të drejtat e LGBTI në Evropë, duke tejkaluar vende si Britania dhe Gjermania.

Sa i përket raportit me Ankaranë zyrtare, Mitsotakis është shprehur se “ka ardhur koha për të ripërcaktuar marrëdhëniet me Turqinë.

Ne po diskutojmë vetëm për demarkacionin e zonave detare", tha ai.

Deklaratat e kryeministrit grek vijnë një javë përpara takimit me Recep Tayyip Erdogan në samitin e NATO-s në Vilnius.

“Një udhërrëfyes për de-përshkallëzimin e tensioneve do na ndihmojë të gjejmë një mënyrë për t'u marrë me atë që ne e konsiderojmë problemin kryesor të pazgjidhur që kemi me Turqinë", tha ndër të tjera Mitsotakis.

Ai e identifikoi këtë si përcaktimi i zonave detare në Egje dhe Mesdheun Lindor, pra shelfi kontinental dhe ZEE.

Por, Mitsotakis e bëri të qartë edhe një herë se Greqia nuk është e gatshme të diskutojë me Turqinë çështje që lidhen me sovranitetin apo mbrojtjen greke.

"Këto janë çështje që thjesht nuk janë për diskutim”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos